Gardian me këmbë fantazisti, Majk Menja “asi” i portës kuqezi

Lavdëruar qoftë një intuitë! Dikur, Majk Menja luante sulmues dhe i urrente dorezat e portierit. E quanin “Pistolero”, si Suarez, sepse zbriste në fushë me fanellën e Liverpulit dhe sulmonte me guxim.

“Nuk luaj në portë”, betohej ai, ndaj bëri një pakt me trajnerin e tij të vjetër. “Testi vendimtar me PSG-në. Një pjesë në portë, tjetrën në sulm. OK?” U tha u bë. Pjesa tjetër e historisë tashmë njihet me 9-shin që u transformua në një numër 1 me xixa. Shpeshherë mund t’i shtojmë edhe një zero, sepse disa nga pritjet e tij janë instinkt i pastër, si ai që udhëheq numrat 10 në fushë.

PORTIER “LIBERO” – Për shumë specialistë, 27- vjeçari është ndër pesë portierët më të mirë në botë e nëse “djalli” ëndërron finalen e Stambollit, shanset ia ka rritur gardiani francez me pritjet e tij. Nga “Pistolero” në portier, që si lojtar i lirë, vendos kohët e manovrës, por di të luajë edhe topin e gjatë. Kundër Napolit ai bëri gjashtë pasime pozitive, po aq sa Kjaer. Kur ka topin, francezi ngre kokën dhe ndërton. Një asist nga ajo e kaluar, që kur luante në sulm dhe terrorizonte mbrojtjen. Romen Damiano, njeriu që e bindi përfundimisht të vishte doreza, e përshkruan atë si një djalë të çuditshëm me karakter. Dikush që në kohën e PSGsë kishte kurajë t’i replikonte Ibrës. Që kur ka zbarkuar në Milano, ai ka arritur ta ngrejë nivelin edhe më tej. Pasi fitoi kampionatin francez me Lilën si mbret i portës së paprekur, Majk i tërhoqi kuqezinjtë drejt titullit.

INSTINKT — Porta e Milanit në më shumë se një rast është ruajtur falë ndërhyrjeve instiktive. Shembulli më i fundit është ai kundër Di Lorencos duke bërë që ekipi të fitonte me portë të paprekur. Pesë herë, që nga rikthimi i tij, nuk është ndëshkuar dhe Pioli buzëqesh. Krenaria e trajnerit për lojtarët e tij ishte e dukshme pas ndeshjes me Napolin, sidomos për atë që po tregon Menja pas kalvarit 5-mujor për një dëmtim në pulpë që dukej sikur nuk do të shërohej kurrë.

PIKËKAPËS- Që nga kthimi në kapacitet të plotë, Milani ka filluar sërish të vrapojë, veçanërisht në Ligën e Kampioneve, ku Menja përfundoi dy ndeshjet e fundit pa pësuar gol. Fillimisht me Totenhemin, 0-0 në Londër, më pas me Napolin, duke neutralizuar Anguisanë, Zielinskin, Oliverën dhe Di Lorencon. Në fund të ndeshjes së të mërkurës, shokët e tij e përqafuan dhe e uruan, ashtu si edhe “San Siro”, sërish në “zjarr” për pikëkapësin e tij. Shumë të fala për ato pasdite si sulmues!