Liverpuli është në kërkim të një sulmuesi që mund të zëvendësojë brazilianin Roberto Firmino, kontrata e të cilit është pranë skadimit dhe duket se i ka vënë syrin Federiko Kiezës, sulmuesin e Juventusit si dhe kombëtaren italiane.
Sipas zërave nga Anglia dhe raportuar nga “TeamTalk”, klubi anglez duket gati të bëjë një ofertë në bazë të 38 milionë eurove për lojtarin. Nuk ka dyshim: Kieza është një element shumë i talentuar dhe potencial, i cili tashmë ka treguar se është një lojtar i rëndësishëm për Juventusin.
Shpejtësia, teknika dhe aftësia e tij për të krijuar raste shënimi e bëjnë atë shumë tërheqës për çdo ekip e trajner. Megjithatë, ka një shqetësim për integritetin e tij fizik. Kjo e bën bordin drejtues të të kuqve të mendojë shumë për një blerje të mundshme.
Pavarësisht kësaj, duket se Liverpuli është i gatshëm të marrë rrezikun për të investuar tek ai. Zgjedhja mund të jetë shumë e favorshme për klubin anglez, i cili ka nevojë për përforcime në sulm për të konkurruar me skuadrat e tjera të mëdha europiane pas këtij sezoni kaq zhgënjyes.
“Zonja e vjetër” mund të jetë e gatshme të shesë Kiezën në rast mbetjeje jashtë kupave europiane për shkak të ngjarjeve të njohura jashtë fushës.
Kujtojmë se në këtë sezon, 25-vjeçari ka zbritur në fushë në 25 herë në të gjitha kompeticionet duke dhënë 4 asiste e duke shënuar vetëm dy gola.
Ai nuk ka arritur ende formën e duhur pas dëmtimit që e mbajti larg terreneve të lojës për thuajse një vit.