Alarm i kuq tek Interi! Zikaltrit rrezikojnë të mos kenë të gatshëm për disa ndeshje mesfushorin e kombëtares turke, Hakan Çalhanoglu. Shqetësimi më i madh për të ka të bëjë me takimin e vajtjes në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve kundër Benfikës.Të paktën kështu bëjnë me dije mediat italiane, që i referohen burimeve nga klubi milanez.
Çalhanoglu u dëmtua me kombëtarën e vendit të tij në takimin kualifikues për “Euro 2024” kundër Kroacisë.
Menjëherë pas ndeshjes në Turqi, Çalha ka udhëtuar për në Itali, ku sot do t’i nënshtrohet ekzaminimeve më të thelluara, nga ku do të kuptohet më qartë për shkallën e dëmtimit të tij dhe kohën që do t’i duhet për t’u rikuperuar.
MUNGESA E sigurt – Deri në pritje të rezultatit të analizave që do të kryhen sot, për momentin është e sigurt se ai do të mungojë në takimet e radhës në Serinë A dhe në Kupën e Italisë.
Sipas stafit mjekësor të Interit, objektivi kryesor i zikaltërve është që Çalhanoglu të jetë gati për takimin e Ligës së Kampioneve kundër Benfikës. Takimi në Champions është programuar të luhet më 11 prill.
Çalhanoglu vuan nga një dëmtim në këmbë dhe do të mungojë me siguri në ndeshjen e fundjavës në Serinë A kundër Fiorentinës. Po ashtu ai do të mungojë në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Juventusit (4 prill) dhe atë ndaj Salernitanës në Serinë A (7 prill).
Ndërkaq, gazetari italian, Xhanluka di Marcio, ka bërë me dije se Çalhanoglu do të qëndrojë rreth 15 ditë larg fushave, që do të thotë se ai është në limite të kohës për të qenë në fushë ndaj Benfikës në Champions. Turku është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Simone Inzagit, i cili nuk e ka luksin të bëjë dhe pa fantazistin e tij