Gjirokastër/ Nuk iu bind urdhrit të Policisë, shpallet në kërkim 36-vjeçari që transportonte emigrantë të paligjshëm

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi shtetasit R. B., i cili po drejtonte automjetin tip “Mercedez Benz”, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur “Virua”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi R. B. po transportonte 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi R. B., 36 vjeç, banues në Dibër.

Vijon puna për kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.