Gjyqtarja e Gjirokastrës Blerta Çibuku është një nga magjistratet më të lakuara për afera korruptive, ndikim të paligjshëm, pazare, shkelje dhe abuzime nga më të larmishmet.
Në 3 nëntor 2016, gjyqtarja Blerta Çibuku është thirrur dhe pyetur për 4 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e një skandali, ku ka pranuar se kishte miqësi me shtetasen R.I. dhe si kishin diskutuar jashtë gjykatës për çështjen objekt gjykimi prej saj.
Në dëshminë e saj para prokurorëve të krimeve të rënda, gjyqtarja e Gjirokastrës ka deklaruar se gjatë kohës së procesit gjyqësor, është takuar disa herë e ka biseduar privatisht për çështjen me 38-vjeçare R.I, të cilën e kishte subjekt të gjykimit.
Megjithatë, Blerta Çibuku u favorizua, duke mos u vënë në pranga. Gjithashtu, as ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mori asnjë masë ndaj gjyqtares.
Por, miqësia mes gjyqtares dhe palës gjykuese duket se është më e thellë. Sot po sjellim foto që tregon për udhëtime të dyshimta të gjyqtares me shtetasen R. I., në Kosovë.
Fotoja tregon se gjyqtarja e Gjirokastrës Blerta Çibuku është ‘arratisur’ disa herë bashkë me palën që e kishte në gjykim, duke frekuentuar lokale dhe hotele luksoze.
Çibuku vendim me urdhra
Blerta Çibuku doli në skenë në historinë e skandalit seksual të ish gjyqtarit Guximtar Boçi, i cili i kërkonte favore seksuale një gruaje, në këmbim të marrjes së vendimit në favor të saj, për ndarjen e një pasurie, banesë trekatëshe dhe një supermarketi në qytetin e Gjirokastrës.
Për këtë skandal, Guximtar Boçi vetëm u shkarkua nga detyra.
Dosjen e kishte Blerta Çibuku. Në videon e transmetuar nga emisioni “Stop” , gruaja i tregon gjyqtares Blerta Çibuku, për ngacmimin seksual nga kolegu i saj.
Po në këtë audio përgjim, gjyqtarja Çibuku pranon se i kanë ndikuar në vendimmarrje. Përpara dhënies së vendimit, gjyqtarja komunikon në zyrë direkt me palën e paditur, gjë e cila është e ndaluar, duke i thënë se nuk mund t’ia jepte fitoren asaj në gjykatë, pasi do duhet të vepronte siç i thoshte Guximtar Boçi, që ishte kryetar gjykate.
Arrestoi 77-vjeçaren për një xham
Gjyqtarja Blerta Çibuku arrestoi një viti më parë një 77-vjeçare për thyerjen e një xhami.
Nga dosja e siguruar nga ‘Prapaskena’ rezulton se e moshuara Krisanthi Kore akuzohej se kishte rrëzuar një anëtenë, kishte thyer një xham si dhe kishte hequr kabullin e internetit tek banesa e së bijës. Kaq ka mjaftuar që të ngrihet akuza për vetgjyqësi dhe shkatërrim prone.
Në 13 prill 2021, Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur për 77-vjeçaren masën detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Më pas, po kjo gjykatë, ka vendosur ta zëvendësojë këtë masë në arrest me burg.
Në një rast tjetër, gjyqtarja Çibuku ka dënuar me kusht një trafikant droge nga Lazarati, i arrestuar me 280 kg kanabis sativa.