Portugalia mundi me shifrat 6-1 Zvicrën në Botëror dhe mes breshërisë së golave, pakkush e kishte mendjen te një episod i çuditshëm që ndodhi menjëherë pasi portugezët kaluan në avantazh në fillimin e ndeshjes.Pas golit të parë të Gonçalo Ramos, sulmuesi vrapo te këndi për të festuar poshtë tribunës së tifozëve portugezë. Bernardo Silva ishte i pari që e përqafoi, por ndërsa mbërritën me vrap të gjithë shokët e skuadrës, Silva ishte ai i cili u kthye me shpejtësi brenda rrethimit të fushës dhe pa nga atje se si të tjerët festonin.
Pamjet janë bërë më pas virale në rrjetet sociale dhe shumëkush ka argumentuar se Bernardo Silva e kishte bërë këtë duke iu frikësuar nisjes së shpejtë të lojës nga zviceranët nëse të gjithë portugezët do të ishin jashtë rrethimit të fushës.
Ai nuk kishte pse të shqetësohej sepse rregullorja e lojës përcakton që një nga kushtet për të rifilluar lojën pas një goli është që “të gjithë lojtarët, me përjashtim të lojtarit që kryen startin, duhet të jenë në gjysmën e tyre të fushës”. Gjithsesi, duket se mesfushori e ka bërë këtë për të qenë i qetë ndaj çdo “harrese” të mundshme të këtij rregulli, ndonëse do të kishte preferuar që të vazhdonte edhe ai të festonte me të tjerët.