Goli që shpëtoi Evertonin, tifozët pushtojnë fushën pa mbaruar ndeshja e Premier Ligës

Ndeshja e sotme mes Everton dhe Kristal Palas ka vendosur fatin e sezonit për skuadrën e drejtuar nga Frenk Lampard. Everton fitoi me shifrat 3-2 dhe siguroi mbijetesën në Premier Ligë në një edicion të kaluar mes shumë vështirësish.

Ndaj edhe entuziazmi i tifozëve për këtë mbijetesë ishte mëse legjitim dhe u pa kur në minutën e 85 të sfidës, Kalvert-Ljuin shënoi golin që çoi shifrat në 3-2 duke përmbysur plotësisht një ndeshje që pa në pjesën e parë Kristal Palas të fitonte 0-2.

Festa e lojtarëve dhe e stafit ishte legjitime, ndërsa edhe tifozët nuk e përmbajtën veten. Shumë prej tyre kërcyen në fushën e lojës duke shkuar të festonin me lojtarët, në skena kaosi pasi stjuardët e kishin të vështirë që t’i kontrollonin. Pas disa minutave ndërprerje, kur u pastrua fusha, ndeshja rifilloi, për të përjetuar një tjetër pushtim fushe pasi u dëgjua më në fund vërshëllima përfundimtare që dekretoi mbijetesën në elitë të Evertonit.