Skema e falsifikimit të dokumenteve për përvetësimin e pronave publike, nën hetimin që s’po mbaron kurrë të prokurores Valbona Maja. A kemi të bëjmë me neglizhencë apo me mbrojtje nga korrupsioni?

Prona e vjedhur
Prej më shumë se 5 vitesh, një dosje penale që ka në qendër një krim të dokumentuar kundër pronës publike, ndodhet në sirtarët e Prokurorisë së Sarandës, duke u zvarritur me indiferencë totale nga organet hetimore. Rasti është i qartë, faktet janë në dosje, por drejtësia mungon.
Prokurorja Valbona Maja, e cila ka në ngarkim këtë dosje prej dy vitesh, është bërë objekt kritikash të forta për zvarritje, mungesë hetimesh dhe – siç dyshohet nga burime brenda sistemit të drejtësisë – mbulim të qëllimshëm të një krimi ekonomik.
Faktet: Një pronë, dy studime urbanistike, një falsifikim i pastër dhe një akuzë që mungon.
Në këtë çështje flitet për një parcelë publike me rëndësi strategjike në vijën bregdetare të Sarandës. Dy shtetas, Sevo Qurku dhe Sali Capari, janë përfshirë në një proces gjyqësor pas vendimit të qeverisë për shpronësim dhe vendimit të IKMT për prishjen e ndërtimeve të tyre.Në këtë proces gjyqësor ata kanë paraqitur një studim urbanistik me përmasat 44 m linear, 21.5 m linear dhe 5.5 m linear, dokument që është konfirmuar edhe nga Bashkia Sarandë si i vetmi plan i ligjshëm dhe i regjistruar zyrtarisht.

Por më pas, pasi rezultoi se prona ishte zhvilluar dhe zënë nga palë të treta, Qurku dhe Capari kanë paraqitur një tjetër plan urbanistik, me të njëjtin numër protokolli dhe datë, por me përmasa krejtësisht të ndryshme: 35.5 m linear, 19 m linear dhe 38.5 m linear.
Ky plan i dytë është i falsifikuar, dhe synon të legjitimojë zaptimin e një zone tjetër, ndryshe nga ajo për të cilën ata kishin fituar të drejtën. Me pak fjalë: kemi të bëjmë me një mashtrim të organizuar, ku përmes ndryshimit të të dhënave teknike në dokumente urbanistike, është bërë përpjekje për të grabitur një tjetër pjesë të tokës publike.

Bashkia konfirmon origjinalin, prokuroria injoron falsifikimin.
Në proces gjyqësor, vetë Bashkia ka konfirmuar zyrtarisht vlefshmërinë e planit të parë urbanistik – duke e bërë kështu edhe më të dukshme për prokurorinë që çdo dokument tjetër është produkt falsifikimi. Megjithatë, pavarësisht kësaj, prokurorja maja nuk ka regjistruar asnjë procedim penal ndaj personave të përfshirë, dhe nuk ka bërë asnjë veprim hetimor konkret. Dosja, siç thonë burimet nga brënda institucionit , “ka ngelur në sirtar”.
Zvarritja e kësaj dosje është e qëllimshme dhë është haptaz mbulim i krimit? Neglizhenca në këtë rast nuk mund të justifikohet si paaftësi. Jemi përballë një çështjeje me dokumentacion të qartë, provë të falsifikimit dhe pasojë direkte: përvetësimi i një prone publike.Në këto raste, neni 248 i Kodit Penal (“Shpërdorimi i detyrës”) mund të zbatohet edhe për vetë funksionarët e drejtësisë që me dashje apo përmes mosveprimit lejojnë që krimi të mos ndëshkohet.
Më tej, nëse vërtetohet se prokurorja është në dijeni të falsifikimit dhe ka refuzuar të veprojë, mund të kemi elementë të korrupsionit pasiv apo të mbështetjes së krimit ekonomik nëpërmjet pushtetit publik – një vepër që mund të hetohet edhe nga SPAK.
Grabiten tokat publike përmes dyerve të drejtësisë.
Ky rast është një ndër shumë të tjerë në Shqipëri, ku prona publike grabitet me letra të falsifikuara, përmes bashkëpunimit të segmentëve të errët në institucione publike, në bashki, ALUIZNI, Kadastra, apo Prokurori.Në rastin konkret, dokumentet fals janë përdorur në një proces regjsstrimi në “ASHK”– një rrezik i madh për sistemin e drejtësisë që mund të degradojë në kapjen e gjykatave nga falsifikatorët.Kjo ngre një pyetje themelore: A janë institucionet e drejtësisë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, apo të atyre që dinë si t’i manipulojnë?
A do të ndërhyjë më në fund SPAK?SPAK ka në kompetencë hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorët e prokurorive të rretheve. Ky rast i zvarritur prej 5 vitesh meriton të merret në shqyrtim menjëherë. Faktet janë aty. Dosja është aty. Heshtja është kriminale.
Sot, më shumë se kurrë, nevojitet një ndërhyrje SPAK, për të hetuar arsyet e mosveprimit të prokurores Valbona Maja dhe për të garantuar ndëshkimin e autorëve të kësaj grabitjeje të pronës publike.Redaksia jonë do të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme këtë çështje dhe do të publikojë emra, dokumente, harta dhe prova që faktojnë këtë krim ndaj pasurisë së përbashkët. Drejtësia nuk duhet të vonojë më. Nuk ka më vend për zvarritje.
Nëse drejtësia nuk vepron sot, nesër nuk do të ketë më prona publike për të mbrojtur.