Gruaja e Piro Bares (Orledia Bare) nën hetim për vjedhje masive benzine në magazinat në Porto Romano, 11 të implikuar, presion për mbylljen e dosjes. A do ndërhyjë SPAK?

Porto-Romano vijon të mbetet një zonë e nxehtë krimi shumëdimensional. Vjedhje masive dhe të organizuara, përplasje mafioze, zjarre, depozita nafte të padeklaruara, shmangie taksash, bllokime, kontrabandë, evazion fiskal, falimentim të rivalit etj.

Qindra mijëra litra karburant e llojit benzinë kanë dalë në mënyrë të paligjshme gjatë pandemisë nga magazinat doganore në Porto-Romano të Durrësit.

Prapaskena mëson se hetimet intensive nga Prokuroria e Durrësit kanë nisur pas një kallëzimi penal të një subjekti ndërkombëtar që operon në Porto Romano.

 

Nga fashikujt e dosjes penale dyshohet për një grup të strukturuar kriminal, ku të implikuar janë administratorë të kompanive që kanë kapur Porto-Romanon, doganierë, segmente të tatimeve etj.

 

Nga hetimet e deritanishme, prokuroria ka identifikuar të paktën 11 persona, të cilët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për realizimin e vjedhjes së madhe, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe veprime të tjera inkriminuese.

 

Si protagoniste e këtij grupi është identifikuar një grua. Ajo është Orledia Bare, administratore e kompanisë ‘AV International Group’, me zyra qendrore në Porto Romano, me objekt tregimin me pakicë dhe shumicë të naftës, benzinës, gazit etj.

 

Pronar i kompanisë me 100 % të aksioneve është biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare. Mësohet se Orledia Bare është bashkëshortja e dytë e Piro Bares.

 

E-maile, dokumente false dhe një sërë veprimesh të tjera mësohet se implikojnë Orledia Baren në aferën e kapur nga Prokuroria.

 

Ndërkaq, ndaj organeve hetimore po ushtrohet presion në forma të ndryshme për të mbyllur këtë dosje në heshtje. Presionet konsistojnë në ndërhyrjet e paligjshme të mafies së hidrokarbureve, duke angazhuar edhe elementë të krimit të organizuar dhe anëtarë familjeve mafioze në Shqipëri.

Por, nga ana tjetër, ka një interesim ndërkombëtar që të rastin konkret hetimet të shkojnë deri në fund dhe përgjegjësit të dalin para gjykatës.

Hetuesit dyshojnë se kjo vjedhje është vetëm një nga aferat në Porto Romano dhe se grupi i identifikuar nuk është koka. Mbetet për t’u parë nëse dosja do t’i kalojë për kompetencë SPAK meqenëse kemi të bëjmë me një grup me natyrë kriminale. Vijon…