Helmimi nga mishi i pulës “sakaton” Holandën, pesë lojtarë preken para duelit me Francën

Holanda do të nisë sonte në mbrëmje rrugëtimin e saj drejt kampionatit europian 2024 me takimin përballë Francës. Por trajneri i “portokallinjve”, Ronald Kuman, është përballur me një të papritur të pakëndshme.Në vetëm një ditë ai ka humbur pesë lojtarë, të cilët rezultojnë se janë helmuar nga ushqimi gjatë grumbullimin me kombëtaren në Holandë, para nisjes drejt Francës.

Kodi Gakpo, Matajs de Ligt, Sven Botman, Xhoej Verman dhe Bart Verbrugen janë lojtarët që kanë pasur probleme me ushqimin dhe si pasojë e helmimit, ata janë detyruar të lënë grumbullimin e kombëtares.

Fillimisht u mendua për një virus, por më pas rezultoi se të pesë lojtarët të cilët kanë lënë grumbullimin kanë shfaqur shqetësime helmimi, pasi kanë konsumuar të njëjtin ushqim, pulë me salcë kërri. Sipas gazetës holandeze, “De Telegraaf”, prej kohësh lojtarët e kombëtares holandeze janë ankuar për ushqimin që u shërbehet në hotelin ku qëndron ekipi në Zeist.

Menjëherë pas darkës të së mërkurës, një numër lojtarësh patën probleme me stomakun. Të nesërmen në mëngjes, Botman, Gakpo, De Ligt, Verman dhe Verbrugen kanë shfaqur shenja serioze helmimi, duke e detyruar trajnerin Kuman t’i largojë nga grumbullimi i kombëtares për dy takimet kundër Francës (sot) dhe Gjibraltarit (të hënën).

Duket e çuditshme që pesë lojtarë u sëmurën ndërsa pjesa tjetër e skuadrës jo, por në fakt nuk është kështu. Jo të gjithë kanë ngrënë mish pule me salcë kërri.

Për më tepër efekti i dëmshëm varet dhe nga rezistenca e çdo lojtari individualisht se sa i ndjeshëm është ai ose ajo ndaj baktereve.

Për zëvendësimin e lojtarëve të larguar nga grumbullimi, trajneri Kuman ka thirrur portierin e Viteshes, Kjell Sherpen, mbrojtësin e Interit, De Vraj dhe mesfushorin e Bajernit, Rajan Gravenversh.