Ndaj Mançester Junajtidit është ngritur një tjetër akuzë nga Federata Angleze për dështimin në kontrollin e lojtarëve të vet gjatë ndeshjes me Çelsin të shtunën, më pak se një javë pasi u akuzuan për të njëjtën arsye ndaj Njukasëllit.
Goli i Kasemiros në 94’ shmangu humbjen për Junajtidin në “Stamford Bridge”, që e pa veten në disavantazh në minutën e 87-të, pasi MekTominej shkaktoi penallti sepse pengoi Armando Brojën në zonë.
Gjatë atij episodi, lojtarët e Ten Hagut protestuan ashpër duke rrethuar arbitrin Stjuart Atuell. Junajtid ka kohë deri të premten për t’iu përgjigjur akuzës dhe më pas pritet të marrë dënimin, i cili pritet të jetë një gjobë.