Tirana i ka dhënë lamtumirën Europës edhe për këtë edicion, teksa është eliminuar nga Beshiktashi. Një humbje e ngjashme me atë të ndeshjes së parë, e ndëshkuar me vetëm dy pakujdesi të prapavijës.
Tirana bëri presing në startin e sfidës dhe u mundua që të vinte në vështirësi miqtë, të cilët nuk sulmuan ashtu si në ndeshjen e parë. Edhe pse më vonë ata patën kontrollin e lojës, nuk kishin raste të pastra për shënim me Tiranën që dukej e në gjendje të përballonte ofensivën e tyre,.
Por në pjesën e dytë, me pavëmendjen e parë në prapavijë, Tirana u ndëshkua nga goli i Amartej pas një goditje këndi. Më pas, teksa kërkonte të shtynte përpara, u godit me një tjetër largim të gabuar nga mbrojtja, këtë herë me Abubakar i cili tundi rrjetën, në momentin kur bardheblutë ishin edhe ne epërsi numerike në fushë
Tentativat në fund nuk sollën një gol për Tiranën, që e mbyll kështu me humbjen 0-2 këtë ndeshje dhe i dha lamtumirën pjesëmarrjes në kompeticionet europiane.