Hysaj: Këtë ndeshje dua ta fitoj, Napoli le të festojë në fund të sezonit

Sot në 20:45 Lacio do t’i bëjë vizitë Napolit për ndeshjen e parë të vlefshme për javën e njëzetepestë të Serisë A. Kryesuesit qeverisin të qetë kampionatin pasi gëzojnë plot 18 pikë diferencë nga Interi dhe Milani, që janë ndjekëset më të afërta.Vështirë se ekipi i Spaletit të humbasë titullin, por matematika nuk garanton asgjë për momentin. Në rrugën e Napoli vendoset pikërisht skuadra ku luan edhe Elseid Hysaj. 29 prezenca sezonale për kapitenin e Shqipërisë që te bardhekaltrit ka ulur në stol Laxarin për rolin e titullarit në krahun e majtë të mbrojtjes. Sot do të ketë përballë Lozanon, por shqiptari premton betejë. Të paktën kjo është ajo që duket nga deklaratat e dhëna dje për “Corriere dello Sport” në mikrofonat e së cilës ka pranuar: “Duhet guxim dhe vetëdije për t’u përballur me një ekip si Napoli. Ata janë një ekip i fortë, po bëjnë gjëra të mëdha e nuk janë rastësisht kryesues të kampionatit. Në një stadium si “Maradona” nevojitet besim dhe qëndrimi i duhur, për t’i vënë rivalët në vështirësi në fushën e tyre”.

URIMI – Hysaj di se ç’flet. Ai ka luajtur gjashtë sezone te Napolit përpara se Igli Tare ta merrte në kryeqytetin italian. Përvoja napolitane e shqiptarit nisi me Sarrin që e mori nga Empoli ku ishin bashkë. Sot ata janë përsëri bashkë dhe shkodrani po shprehet në nivelet e tij maksimale, e që për disa kohë e bënë ndër anësorët më të kërkuar në Itali. Hysajt i mungon goli në këtë sezon dhe do të ishte bukur ta gjente pikërisht sonte kundër të kaluarës së tij.

Duke vijuar analizën e tij, 29-vjeçari u shpreh: “Me kalimin e kohës, Napoli ka ndryshuar mentalitetin dhe shumë aspekte të tjera që i kanë bërë ata që janë aktualisht. Gjatë periudhës sime te Napoli, iu afruam titullit, por nuk ia dolëm dot mbanë. Mendoj se të gjitha ato sezone kanë qenë të dobishme për të arritur rezultatin aktual. Edhe ne po rritemi dhe shpresojmë të arrijmë të luftojmë për të njëjtin qëllim. Kam kujtime të shkëlqyera nga vitet e mia në Napoli, shpresoj që ata të jenë në gjendje të festojnë në fund të sezonit, por këtë ndeshje do të mundohem t’i ndal.”