I dha fitoren Juves, mbrojtësi i bardhezi në delir: Nuk dija as si të festoja, por në kthim do të jetë e rrezikshme

Federiko Gati gjen golin e parë me Juventusin në një ndeshje shumë të komplikuar, por po aq të rëndësishme, për fatet e kualifikimit në Champions, për sezonin e ardhshëm.

Kjo, sepse suksesi 1-0 e afron më shumë më gjysmëfinalen e Ligës së Europës “zonjën e vjetër” dhe mundësinë e një trofeu që do ta katapultonte direkt në elitën europiane sezonin e ardhshëm:

“Doni të vërtetën, nuk dija se si ta festoja golin që shënova. Nuk dija se si bëhej, se ku duhet të shkoja! Ishte një emocion i papërshkrueshëm, – nënvizon qendërmbrojtësi, i paguar 7.5 milionë euro nga Frozinone. – Mendoj se bëmë një hap të vogël të rëndësishëm drejt kualifikimit, edhe pse të gjithë e pamë se Sportingu është një skuadër shumë e fortë. Madje, ndeshja e kthimit do të jetë edhe më e rrezikshme, ndaj duhet të jemi gati për çdo gjë. Bëmë disa gabime, por në Lisbonë duhet të jemi më të saktë dhe të kafshojmë rivalët në çdo top”, përfundoi Gati.