I lumtur për kualifikimin e Milanit, por nuk pendohem që zgjodha PSG-në”, Donaruma: Për fat të keq Champions-i kështu është…

Tjetër aventurë zhgënjyese e PSG-së në Champions, pavarësisht yjeve të shumtë në përbërje, skuadra franceze u eliminua në fazën e 1/16 nga Bajerni i Mynihut. Në lidhje me këtë disfatë foli edhe portieri italian i PSG-së, Xhixho Donaruma, që në prononcimin për mikrofonat e “Sky Sport” u shpreh:“Për fat të keq, Champions League është kështu, në pjesën e parë duhej të bënim më shumë sepse kishim shanset. Më pas për një gabim pësuam gol. Është një zhgënjim i madh, jemi të mërzitur dhe tani duhet të përpiqemi të shohim përpara sepse kemi ende kampionatin, por sonte jemi shumë të zhgënjyer.

Jam krenar për zgjedhjen time, jam plotësisht brenda këtij klubi dhe nuk ka pasur asnjëherë dyshimin më të vogël, asnjë mendim të dytë.

Unë jam krenar që e vesh këtë fanellë. Fatkeqësisht Liga e Kampionëve vendoset nga detajet, humbisni një top dhe pësoni një gol. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe fatkeqësisht kështu ndodhi sonte. Tani le të ngremë kokën dhe të ecim përpara.

Kualifikimi i Milanit një shenjë e madhe për futbollin italian, jam i lumtur për ish-shokët e mi”, përfundon portieri.