“I qetë për vazhdimin e sezonit”, flet afrimi i ri i Milanit: Kuqezi prej tifozëve dhe Piolit

Samuel Çukvueze pret momentin e tij. Te Nigeria mbetet titullar i paprekshëm, ndërkohë që me Milanin në tri daljet e para sezonale ka grumbulluar vetëm 53 minuta.

Anësori i ardhur nga Vijarreali duket i duruar, teksa lidhur me përvojën italiane ka deklaruar: “Trajneri më kërkon të flas italisht. Kam punësuar një mësues privat dhe po mësoj. Njohja e spanjishtes më ndihmon shumë. Mendoj se shumë shpejt do të jem në gjendje të flas në mënyrë korrekte. Sidoqoftë, te Milani gjithçka po shkon mirë. Kemi fituar tri ndeshje dhe të shtunën na pret derbi. Jemi të karikuar.”

Më pas, 24-vjeçari është rikthyer te dinamika e transferimit të tij te Milani. Meritë e këmbënguljes së Milanit, por edhe e tifozëve, me Çukvuezen që sqaroi: “Kam folur edhe me Osimhenin, i cili ka disa vite në Itali. Ai më tha të pranoja, dhe se Milani është një klub fantastik. Në verë tifozët më shkruanin kudo “Milan, Milan, Milan”.