Janë zbuluar detaje të reja për atentatin e ndodhur një ditë më parë në Shkodër, ku mbeti i vrarë Nazmi Bandula.
Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi viktima dyshohet se ka marrë pjesë në një vrasje në vitin 2000. Tre vite më vonë, pra në vitin 2003, atij i është bërë një atentat, por asokohe arriti të shpëtonte. Gjithashtu, edhe në vitin 2020, 55-vjeçarit iu shpërthye me tritol makina tip “X 5”, por që ishte parkuar jashtë shtëpisë dhe për fat të mirë nuk pati viktima.
Për të kaluar më pas te ekzekutimi i ditës së djeshme. Raportohet se viktima ka qenë i ulur në kafenë në lagjen “Rus” me një tjetër person, por paraprakisht dyshohet se autorët kanë qenë vrasës me pagesë dhe goditja ka qenë e përqendruar.
Në këtë ekzekutim, ata i ka ndihmuar fakti që kanë qenë të vendosur pak metra larg “shënjestrës”. Mbi ngjarjen deri më tani janë shoqëruar në komisariat disa persona, ndërsa nuk kanë mundur të japin informacione të sakta mbi ngjarjet.
Policia gjithashtu ka marrë dëshminë edhe të familjarëve dhe të afërmve të Bandulës, por ata kanë deklaruar se viktima nuk kishte probleme dhe nuk e kanë idenë se kush mund ta ketë kryer apo porositur vrasjen.