Ibra më solli me këmbë në tokë”, Mesias: Dua Champions-in, Milani më ndryshoi jetën

Pesë gola në 21 prezenca në kampionat bëjnë që Zhunior Mesias të ketë arritur rekordin e tij me fanellën e Milanit të vendosur një vit më parë.

Për brazilianin, 26 prezenca sezonale dhe dëshirë për të treguar se sa vlen. Për diçka të tillë ka përfituar edhe nga intervista e fundit e dhënë për televizionin e klubit.

Ju u veshët kuqezi pas përvojës në një realitet modest si Krotone…

Gjithçka ndryshoi kur pashë stemën e Milanit në hyrje të selisë së klubit. U dashurova menjëherë me këto ngjyra dhe historinë. Pas takimit me Ibrën, kuptova se sa shumë gjëra kishin ndryshuar në jetën time. Herën e parë që drekuam në grup më tha se bëja mirë të flisja pak, por që edhe duhet të punoja shumë.

Cilat janë kujtimet e para në futboll?

Në lagjen time në Brazil. Atje luajnë të gjithë, por unë isha pjesë e një skuadre ku shumica ishin më të mëdhenj se unë. Ngaqë nuk gjeja hapësirë, kujtoja se futbolli nuk ishte rruga ime. Pasi fola me priftin e kishës i thashë se doja të merresha me fenë, por 4 ditë më vonë më kontaktuan për një provim në një ekip.

Hap pas hapi e derisa mbërritët te Krotone. Si ishte ajo përvojë?

Nuk ka qenë aspak e lehtë. E kisha mendjen të mbushur me dyshime dhe në fillim doja të largohesha. Fatmirësisht gjërat ndryshuan dhe situata ishte shumë herë me e mirë sesa e kisha imagjinuar.

A ju kujtohet goli i parë?

Po, në Serinë B. Kisha gjashtë muaj që luaja shumë mirë, por ai gol i bekuar nuk po vinte. Pasi shënova për herë të parë u çlirova e ndihesha më i lehtë në shpirt. Mbaj mend që kam festuar me të gjithë stafin që asnjëherë nuk hoqi dorë e gjithmonë më shtynte duke më thënë se do të shënoja.

Sa ndryshon një grup kur kalon nga kategoritë e ulëta në Serinë A?

Jashtëzakonisht shumë. Sidomos kur mbërrin te Milani, ku të kërkohen trofe. Luajmë gjithmonë për të fituar, ndërkohë që në karrierën time kisha qenë në skuadra, të cilat luftonin për mbijetesë. Kur nga Krotone erdha te Milani ndryshimi ishte edhe më i madh. Emocionet e kalimit nga një skuadër normale te një klub, ku synohet titulli është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Për mua ishte realizimi i një ëndrre fëmijërore. Që nga momenti i firmës për Milanin ndryshoi ambicia dhe qëllimet e mia.