Infront-al.com/login

Ndërsa në Itali shtohen gjithnjë e më shumë zërat për një dënim shembullor ndaj Juventusit për shkak të skandalit të plusvalencave dhe manipulimit të bilanceve financiare, Luçiano Moxhi, është i bindur se bardhezinjtë nuk rrezikojnë aq shumë sa mendohet. Shumëkush pret që Juventusi të rrëzohet përsëri nga kategoria, por ish-drejtuesi i bardhezinjve është i bindur se dënimi nuk do të ndikojë ndoshta as praninë mes katër ekipeve të para në kampionat.“Juventusi maksimumi rrezikon një ose dy pikë penalizim, por kjo historia e rënies nga kategoria është një barsoletë. Anjeli? Familja është e veçantë dhe luftojnë brenda vetes. Kur u largova unë, avokati i Juventusit gjeti akord për të rënë në Serinë B duke më vënë fajin mua”, tha Moxhi për “Radio Kiss Kiss”.

Më pas, ai i bëri komplimente Napolit për atë që kishte treguar në ndeshjen ndaj Juventusit, kur masakroi bardhezinjtë me shifrat 5-1. “Pas ndeshjes së të premtes i kam dërguar një mesazh De Laurentis, duke i bërë komplimentet për fitoren, por sidomos për mënyrën se si menaxhon klubin. Kvaratskhelia? Është gjithmonë antipatike t’i vësh një vlerë futbollistëve pasi në fund të fundit, ai është aq i fortë sa të aftë janë ata që e shesin. Por qartësisht vlen më shumë se 100 milionë euro. Nëse Lukaku është paguar aq shumë dhe nuk di të ndalë topin, atëherë ata që kanë teknikë duhet të vlejnë më shumë”, tha ish-drejtuesi i Juventusit.