Inter, e pamundur të humbasësh / Statistikat favorizojnë zikaltërit, asnjë humbje përballë “shqiponjave”

Sot në mbrëmje Interi do të përballë Ben fikën në “Da Luz”, në çerekfinalen e parë të tyre në Champions League pas 12 vitesh. Pas eliminimit të Portos në fazën e 1/8-ave (në 2010-2011-ën eliminuan Bajern Mynihun), zikaltrit do të ndeshin një tjetër ekip luzitan, që duhet thënë se janë gjithmonë fatsjellës për milanezët.

Duke përjashtuar fazën eliminatore, Interi është kualifikuar gjithmonë në secilën prej 4 rasteve që ka pasur përballë një kundërshtar portugez në fazën me eliminim direkt në kompeticionet europiane.

Përveç kësaj, në favor të tyre janë edhe precedentët, që gjithmonë kanë folur pro zikaltërve, mes tyre dhe një finale që vlejti një Kupë Kampionesh në 1965-ën e largët.

Por edhe pse Benfika nuk është mundur asnjëherë deri më tani në Champions dhe Interi nuk shënon shumë, statistikat janë një shtysë më shumë për skuadrën e Inzagit, që sot duhet të bëjë një paraqitje dinjitoze dhe të sjellë në shtëpi një rezultat pozitiv për ta vendosur të gjithën në çerekfinalen e kthimit në “San Siro” më 19 prill.

STATISTIKAT

– Interi është i pamposhtur në tri ndeshjet e luajtura kundër Benfikës në kompeticionet europiane (2 fitore, 1 barazim). Përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave daton në fazën e 1/8-ave të Kupës UEFA në sezonin 2003/’04, kur zikaltrit pasi barazuan pa gola në “Da Luz”, fituan 4-3 në “San Siro”, duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër.

– Benfika është kualifikuar në dy rastet e fundit kur është përballur me kundërshtarët italianë në fazat me eliminim direkt të një kompeticioni europian (kundër Napolit në raundin e parë të Kupës UEFA 2008-2009 dhe kundër Juventusit në gjysmëfinalen e Europa League në sezonin 2013-2014).

– Interi fitoi Kupën e dytë të Kampioneve, që sot quhet Liga e Kampioneve, në një finale me Benfikën në 1964-1965-ën, atëherë kur i mjaftoi një gol i brazilianit Zhair.

– Benfika është skuadra e vetme e ngelur në garë në Champions League që ka mbërritur në grupe nëpërmjet fazës eliminatore. Po ashtu portugezët (6 fitore dhe 2 barazime), bashkë me Bajern Mynihun e Mançester Sitin janë të vetmit që nuk janë mundur asnjëherë në këtë sezon të kompeticionit.

– Mes skuadrave të kësaj faze, Interi është skuadra që ka shënuar më pak gola, vetëm 11. Prej tyre, vetëm 1 ka ardhur në fazën me eliminim direkt, goli i Lukakut në ndeshjen e parë me Porton.