Sezoni sapo ka nisur, por te zikaltrit po mendojmë për atë të radhës, duke marrë parasysh edhe faktin që po vjen momenti për të bllokuar të gjithë lojtarët që mund të jenë me parametër zero në verë. Nga janari, drejtuesit zikaltër shpresojnë të kenë siguruar emra cilësorë për të përforcuar grupin e Inzagit.
Reparti më emergjent është sulmi, aty ku Sançez e Arnautoviç nuk ofrojnë sigurinë maksimale. Edhe pse objektivi primar ngelet Mehdi Taremi, për të cilin shumë varet nga Porto, në radarët e zikaltërve ka përfunduar një tjetër emër.
Keleçi Iheanaço, sulmuesi i Lestërit vlerësohet në Milano, mbi të gjitha për faktin që ka një kontratë që skadon në 2024-ën. 27-vjeçari nigerian është ende një ide, me mundësitë reale që do të vlerësohen në vazhdim.
KOLPANI – Edhe pse është një nga pikat më të forta të Interit, në mesfushë pritet të ketë blerje, mbi të gjitha duke parë situatën e Mikhitarianit (i skadon kontrata në 2024-ën dhe nuk ka rinovuar ende) dhe mungesën e një mesfushori fizik.
Tomas Souçek, kontrata e të cilit me Uest Hemin skadon në 2024-ën, ngelet gjithmonë opsioni i parë, por drejtuesit kanë një tjetër alternativë.
Pas blerjes së Fratezit, drejtuesit kanë pikasur një tjetër italian dhe bëhet fjalë për Andrea Kolpanin, mesfushorin e Monzës. 24-vjeçari ka spikatur në këtë fillim sezoni me 4 gola në 8 ndeshje në kampionat dhe ia ka dalë të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha, me Interin që duket më i interesuari.
Kolpani ka një kontratë që skadon në 2028- ën, por mbërritja te një akord për italianin 184 centimetra të gjatë nuk duket operacion i vështirë për zikaltrit.