Burime për Prapaskenën theksuan se bosi i kromit Rrahim Dedja është personi që kishte konflikte me Iljaz Çalin, i cili u ekzekutua mbrëmë në një atentat mafioz në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
Iljaz Çali, sipas familjarëve të tij, i kishte dhënë prej 3 vitesh Rrahim Dedes 2400 ton krom, me vlerë tregu 1 milionë euro. Vëllai i Çalit ka dëshmuar në prokurori se Dedja nuk i jepte paratë.
Megjithatë, ky konflikt është vetëm një pistë hetimore, pasi ende nuk dihet se kush e ka urdhëruar ekzekutimin e Çalit.
Rrahim Dedja ka qenë administratori i kompanisë “Brisel”, e njohur si një kompani e skandaleve dhe vdekjeve të punëtorëve, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë.
Aktiviteti i kompanisë Brisel shpk u pezullua në vitin 2018 nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, pas dy aksidenteve ku humbën jetën një punëtor dhe një minator, që të dy të rinj.
Para pezullimit, kompania ishte gjobitur, ndërsa humbi jetën edhe një grua 55-vjeçe. ‘Brisel’ shfrytëzonte punëtorët pa kushte sigurie, për të fituar sa më shumë, duke prodhuar vdekje dhe zhvatje të pasurive natyrore të shqiptarëve.
Askush nuk u ndëshkua ligjërisht për humbjet e jetëve njerëzore, por vetëm u pezullua kompania.
Megjithatë, bosi i kromit dhe me lidhje politike, Rrahim Dedja, nuk u ndal. Ai mori në dorë kompaninë tjetër ‘Ballenja’, e cila deri në atë kohë herë e pezullonte aktivitetin dhe herë aktivizohej. Dedja ka qenë edhe anëtar i këshillit bashkiak të Bulqizës, ku mbronte interesat e tij private.
Galeritë e kromit në Bulqizë janë galeria më e madhe e krimit dhe korrupsionit në Ballkan. SPAK duhet të zbarkojë në Bulqizë, bashkë me forcat RENEA.