Jam i detyruar ta marr këtë vendim”, Zhoze Murinjo jep dorëheqjen me… e-mail

Zhoze Murinjo nuk është më anëtar i Bordit të Futbollit të UEFA-s! Trajneri portugez ka hequr dorë nga ky rol dhe vendimin e tij ia ka komunikuar me e-mail Zvonimir Bobanit, i cili drejton Bordin e Futbollit. 

Ky organ i krijuar së fundmi për të diskutuar disa nga çështjet më të rëndësishme në futbollin evropian me 19 trajnerë të tjerë ndërkombëtarë. 

Dorëheqja e trajnerit të Romës, vjen vetëm pak ditë pasi Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA e pezulloi katër ndeshje për sulmin që i bëri gjyqtarit anglez, Tajlor, në përfundim të finales së humbur përballë Seviljas në Europa League. 

“I dashur Boban, duke ju falënderuar që më keni ftuar të jem anëtar i Bordit të Futbollit, më vjen keq t’ju informoj se do të heq dorë nga pjesëmarrja ime në këtë grup me efekt të menjëhershëm. 

Kushtet me të cilat besoja shumë kur u bashkova në këtë projekt nuk ekzistojnë më ndaj jam i detyruar ta marr këtë vendim. Ju lus që vendimin tim t’ia komunikoni edhe presidentit Ceferin”, ka shpjeguar Murinjo në e-mail.