Interi do të presë Benfikën në sfidën e kthimit të çerekfinaleve të Champions-it, me ndeshjen e parë që u fitua nga zikaltërit 0-2. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i zikaltërve, Simone Inzagi, ka folur për këtë takim duke u shprehur se kjo përballje nuk do të jetë e lehtë, por ka besim te skuadra e tij.
“E dimë që është pjesa e dytë e një ndeshjeje të rëndësishme. Ne e nisim me një avantazh, por i dimë vlerat e kundërshtarit. Do të jetë e komplikuar dhe duhet të jemi të përqendruar. Të jesh mes katër më të mirëve të Europës do të ishte një arritje e madhe.
Duhet të dimë si ta izolojmë veten, kemi disa lojtarë, kontratat e të cilëve do të skadojnë shumë shpejtë, por që po bëjnë një punë të mirë në stërvitje çdo ditë. Është pjesë e futbollit të sotëm që të kritikohesh. Por ne duhet të jemi të fortë, me një mendje të pastër dhe gjithmonë të mendojmë për ndeshjen e radhës, që këtë herë është Benfika.
Ne vijmë nga një humbje në kampionat, por kjo i përket të shkuarës. E dimë që duhet të jemi një skuadër e mirë intensive. Benfika është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët e mbulojnë mirë fushën. Duhet që të bllokojmë çdo cep të fushës që ta bëjmë atë më pak të rrezikshme.
Nuk mendoj se është e habitshme të arrijmë në katërshe. Nuk besuan përpara Barcelonës ose Portos, por unë jam mësuar me kritikat dhe nuk është problem. Kemi pasur probleme por kanë ngelur dhe tetë ndeshje në kampionat. Duhet të japim më të mirën tonë për fansat.
Çalhanoglu dhe Lukaku nga fillimi? Kam idetë e mia. Kanë ngelur dhe dy seanca stërvitore. Unë i kam idetë e mia, por orët e ardhshme do të më ndihmojnë”, u shpreh Inzagi.