Janë dy trajnerë të shkëlqyer”, ish-drejtori i Bajernit komenton sfidën me Sitin: Duel mes mjeshtërve të shahut

Mikael Reshke, ish-drejtor teknik i Bajernit të Mynihut, i cili ka punuar si me Pep Guardiolën ashtu edhe me Tomas Tuhelin e quan ndeshjen mes Mançester Sitit dhe Bajernit të Mynihut një duel mes dy “mjeshtërve të shahut”.

Reshke, i cili dikur i bashkoi Tuhelin dhe Guardiolën për një darkë legjendare në Mynih, thotë gjatë një interviste për Agjencinë Gjermane të Lajmeve përpara duelit të sotëm:

“Le ta themi kështu: Nëse Bajerni nuk e fiton Champions-in, atëherë Siti duhet ta bëjë këtë. Do të isha shumë i lumtur nëse kjo përballje do të ishte finalja. Fakti që Bajerni dhe Siti po takohen tani me njëri-tjetrin më shqetëson, sepse një ekip absolutisht i shkëlqyer duhet të eliminohet në këtë fazë. Do ta shikoj ndeshjen e parë me shumë kujdes dhe me vetëdije në televizor dhe ndoshta do të jem në Mynih për ndeshjen e dytë.

Marrëdhënia ime me Pepin është më e ngushtë. Ne i besuam shumë njëri-tjetrit dhe punuam intensivisht së bashku te Bajerni i Mynihut për dy vjet. Ne takohemi rregullisht kur jam në Angli ose, siç bëmë kohët e fundit në Dortmund, kur pimë dy gota verë së bashku një natë para ndeshjes së grupeve të Champions-it.

Kontakti me Tuhelin filloi në sezonin e tij të parë si trajner i Bundesligës te Mainci. Janë dy trajnerë të shkëlqyer futbolli, dy mjeshtër të mëdhenj shahu, të cilët më kujtohet u ulën përballë njëri-tjetrit dhe filozofuan për futbollin, taktikat dhe sistemet në nivelin më të lartë”.