Juventusi në alarm/ “Zonja e Vjetër” me gjashtë mungesa në Champions ndaj Benfikës

Pas dy sukseseve radhazi në kampionat kundër Torinos dhe Empolit, Juventusi tani është i dënuar që të fitojë edhe kundër Benfikës, këtë herë në transfertë.

Të martën në orën 21:00, bardhezinjtë do të bëjnë vizitë në Lisbonë ku janë të dënuar të fitojnë, madje për të qenë disi më të qetë edhe për ndeshjen e fundit, duhet ta bëjnë me dy gola diferencë.

Gjithsesi, sfida e parafundit në grupet e Champions-it nis në malore për trajnerin Masimiliano Alegri, duke parë edhe mungesat që pas çdo fundjave shtohen dhe nuk lënë “Zonjën e Vjetër” që të përgatisë asnjëherë e qetë duelin e radhës.

I fundit që i shtohet infermierisë është Leandro Paredes.

Mesfushori argjentinas ka pësuar një tërheqje muskulore në stërvitjen e djeshme dhe do t’i duhet të mungojë për 15 ditë.

Kjo do të thotë se humb jo vetëm Benfikën, por në të njëjtën kohë edhe duelet e tjera me Leçen e Interin në kampionat, ashtu sikurse me PSG-në në ndeshjen e fundit të grupeve.

Ai mund të rikthehet për dy duelet e fundit përpara pauzës së Botërorit, ndaj Veronës dhe Lacios.

Me Paredesin në infermieri, praktikisht të gjitha blerjet e kësaj vere janë të dëmtuar aktualisht, duke qenë se i bashkohet mbrojtësit Gleison Bremer dhe sulmuesit Angel di Maria.

Të vetmit nga investimet e merkatos që i kanë shpëtuar dëmtimeve aktualisht janë anësori i majtë Filip Kostiç dhe sulmuesi Arkadiuzh Milik.

Për Alegrin mungesat ndaj Benfikës do të jenë 6, duke kujtuar se përveç Paredes, Bremer e Di Maria të dëmtuar janë edhe De Shiljo, Kieza e Pogba.

Në varësi të këtyre mungesave, Juventusi duket i destinuar që të konfirmojë skemën 3-5- 2 edhe të martën në mbrëmje, duke qenë se që kur kanë ndërruar sistem loje, konkretisht që pas ndeshjes së humbur me Benfikën në “Allianz Stadium” 1-2, mbrojtja është rikthyer një garanci për Masimiliano Alegrin.

Shifrat thonë se Juventusi kundër Empolit mbyll ndeshjen e gjashtë sezonale me portën e paprekur, duke qenë kështu të paktën në Serinë A skuadra më e mirë lidhur me këtë statistikë, ashtu sikurse mbrojtja e dytë më pak e goditur pas Lacios (5 gola të pësuar për romanistët, 7 nga bardhezinjtë).

Shkurt, prapavija është reparti i vetëm që i jep garanci Juventusit në pritje të duelit me Benfikën, ndonëse në Champions nuk e kanë mbajtur asnjëherë të paprekur portën në katër ndeshjet e para.

Gjithsesi, duke qenë se skuadra është në përmirësim e sipër, ndoshta Benfika mund të jetë ndeshja e duhur për të bërë kthesën e madhe edhe në Europë dhe pse jo, për të shpresuar se me një fitore në Lisbonë të godasin edhe psikologjikisht portugezët, për të pasur shpresa për kualifikim edhe në javën e fundit të grupeve.