Juventusi ngjitet në vendin e tretë, Alegri: Nuk keni parë gjë akoma!

Fitorja e gjashtë radhazi, por këtë herë 3-0 kundër Lacios është më shumë sesa një sukses i radhës. Juventusi konfirmon se është zgjuar, është më i fortë sesa një mori me mungesa të rëndësishme (Vlahoviç e Pogba sërish jashtë, Kieza e Di Maria vetëm pak minuta në pjesën e dytë) dhe mbi të gjitha vazhdon të marrë ashensorin drejt kateve të larta të renditjes.

Me triumfin e djeshëm në “Allianz Stadium” bardhezinjtë do e presin pauzën e Botërorit në vendin e tretë të renditjes. Parakalimi ndaj Lacios dhe të qenit vetëm dy pikë nga Milani i vendit të dytë tani nis të frikësojë rivalet për titull, ndonëse për momentin Napoli me 10 pikë avantazh mund të jetë sërish i qetë.

Ringjallja e Juves ka edhe një emër konkret, me shumë peshë: Mois Ken, autor i një dopietë përpara publikut të tij, goli i pestë në pesë ndeshjet e fundit (përfshirë edhe Champions-in) që ka luajtur si titullar.

Në të 43-ën Ken shpërthen pas një asisti në thellësi të Rabio dhe me një parabol perfekte bën 1- 0. Ndërkohë, në të 54-ën shtyn në rrjetë topin e grushtuar keq nga portieri i Lacios, pas goditjes nga distanca e Kostiç.

Por për ta bërë më të bukur sfidën mendon edhe Milik në minutën e 90-të, teksa godet lehtësisht në rrjetë, nga qendra e zonës, pas asistit të Kieza.

Flet Alegri – Në fund të ndeshjes, Masimiliano Alegri, mund të fryjë gjoksin për herë të parë në këtë kampionat, duke konfirmuar edhe besimin e tij te titulli i mundshëm, nëse Napoli nis të bëjë hapa fals nga janari e në vazhdim.

“Napoli po bën një kampionat më vete, për momentin… Fundja, 6 javë përpara kur mendonte te mundësia se ne do të ishim të tretët përpara nisjes së pauzës?! As unë vetë!

Kemi bërë hapa gjigantë përpara dhe tani mund të karikojmë bateritë. Djemtë në këtë një muaj e gjysmë të fundit kanë bërë gjëra fantastike.

Nuk ishte e lehtë ndaj Lacios, por u treguam të duruar, kemi mësuar të mbyllim rrugët e pasimeve të kundërshtarëve, të bëjmë një zotërim të mirë topi.

Dhe ajo që më pëlqeu më shumë ishte se në pjesën e dytë e rritëm ritmin e lojës. Pastaj hynë edhe Di Maria, Kieza, Paredes… Presim edhe Pogbanë e Vlahoviçin.

Këta janë lojtarë që rrisin ndjeshëm dozën teknike të një skuadre, prandaj nëse i rikuperojmë të gjithë dhe të dëmtuarit kapim edhe një formë të rëndësishme fizike, mund të bëjmë edhe më mirë sesa kaq në vazhdim.

Pauza na duhej dhe mendoj se vjen në momentin e duhur.

Kjo do t’i bëjë mirë mbi të gjitha Kiezës dhe Pogbasë, pasi do të kenë kohë që të punojnë siç duhet. Nga janari do të kemi sërish 3 ndeshje në javë dhe unë kam nevojë për të gjithë.

Do të ketë hapësirë për të gjithë, sepse kemi edhe Ligën e Europës, një turne të cilit unë dua t’i shkoj deri në fund, ashtu sikurse të gjithë lojtarët e mi.

Zëvendësimet në një vit të ngjeshur si ky bëhen shumë të rëndësishme dhe unë mendoj se kur t’i rikuperojmë të gjithë do të kem fatin që t’i shfrytëzoj edhe më shumë zëvendësimet, pasi kam në dispozicion një grup me një dozë teknike shumë të lartë.

Ken bomber? Më vjen mirë për të. Ka gjetur një ekuilibër mendor dhe mesa duket kishte vetëm nevojë që dikush t’i fliste dhe t’i jepte besim.

Tani po punon, po lodhet siç duhet… (qesh) Po rritet si gjithë pjesa tjetër e ekipit dhe unë kam pasur gjithmonë besim te ai. Çfarë po bën diferencën te Juventusi?

Shkuam 2-0 dhe e kishim ndeshjen në xhep, por nuk doja kurrsesi që të pësonim një gol.

Do të isha irrituar shumë, sepse bën pjesë e rritjes. Ndërkohë ne shënojmë edhe të tretin në fund dhe këto gjëra më bëjnë shumë të lumtur.

E them këtë, sepse akoma askush, as unë i pari nuk e kemi parë ende në aksion potencialin e vërtetë të këtij Juventusi”, përfundoi trajneri 55-vjeçar.

Përgatiti: J