Inzagi do të përballë Piolin sot në mbrëmje, por për nga mënyra si trajneri duhet ta përgatisë këtë duel, duket sikur 44-vjeçari do të ndeshë Spaletin. Inzagi duhet të përpiqet të përsërisë ndaj kuqezinjve suksesin e arritur ndaj “Axurrëve” në kampionat prej nga kafazi për Kvaratskhelian mund të aplikohet edhe për Leaon, dhe Benaser të trajtohet si Lobotka, pa lënë mënjanë krahët.KAFAZI PËR LEAON – Mund të tregojmë tri lëvizje, tre çelësa taktikë në planin e Interit për këtë Superkupë. I pari mban emrin Leao, sepse portugezi, edhe më shumë se Zhiru, është njeriu që konsiderohet qendror në lojën e Piolit. Njeriu që ndez llambën e lojës kuqezi dhe do të jetë në dorën e Inzagit që të përpiqet ta fikë atë. Edhe një herë tjetër mund të hyjë në punë zgjedhja e Darmianit në të djathtë për t’i ardhur në ndihmë Shkriniarit, një lëvizje që rezultoi vendimtare ndaj Napolit për të bllokuar Kvaratskhelian. Markimi i dyfishtë i Leaos, me rritje të agresivitetit në drejtim të tij duke mos e lejuar të rrisë shpejtësinë dhe duke e sulmuar sapo të marrë topin, janë ato që ofron Darmian, i cili mund të ndihmohet edhe nga Barela në këtë detyrë në atë anë të fushës, për t’i lënë më pas Shkriniarit të bëjë ndërhyrjen vendimtare.
BENASER – Fokusi tjetër është i lidhur me ndërtimin e lojës dhe për rrjedhojë Ismael Benaserin. Ndaj Napolit Xheko dhe Lukaku asfiksuan Lobotkën dhe këtë herë Inzagi do të kërkojë të njëjtën gjë nga boshnjaku dhe Lautaro në drejtim të numrit 4 kuqezi. Sulmuesit do të përpiqen të mbyllin çdo trajektore për lojën e algjerianit, duke ditur që sa më të vështirë ta ketë Benaser, aq më të lehtë do ta kenë zikaltrit.
KRAHËT –Trajneri do t’i besojë paparashikueshmërisë së Çalhanoglusë e Mikhitarianit, por më shumë se të gjithë do të bazohet te Dimarko e Darmian. Befasia që do të vijë nga shpejtësia e tyre mund të vendosë në vështirësi mbrojtjen e kuqezinjve, ashtu si me Napolin, për të frymëzuar si lojën ajrore dhe për të kufizuar gabimet individuale.
DYSHIMET E FORMACIONIT – Lukaku pritet ta nisë nga stoli, edhe pse vendimi do të merret vetëm sot, ndërkohë që Brozoviç nuk ia ka dalë për Superkupën. Me Dumfrisin jo në gjendje optimale pas shqetësimeve muskulore, në krah të djathtë pritet Darmian, ndërkohë që do të rikthehet edhe Barela në mesfushë, me Dimarkon në të majtë e Lautaron e Xhekon në sulm.