Karteli i çmimeve të vajit, në krye “Miss Zhvatësja” Valbona Selimllari me “Olim” dhe Ferrajt e Linzët me Floriol e King

Në Bashkinë e Tiranës, Selimllari paguhet 1.2 milionë lekë në muaj si këshilltare e Erion Veliajt/ Përveçse se 1 litër vaj po shitet me çmim sa 4% e pensionit mujor të pleqërisë, shteti nuk e kontrollon për cilësinë, përbërjen e sigurinë; ndërkohë që deri te kryeministri Rama, kanë shkuar prova analizash, se vaji që tregtohet në Shqipëri, ka përzierje të dëmshme të bërsive të patates, lulediellit e misrit foragjer

Paçka se kryeministri Rama, krijoji me bujë bordin për ndalimin e abuzimit me çmimet e ushqimeve, duke dalë vetë e duke shpërndarë ministrat nëpër markete dhe dyqane lagjesh, rezulton se çmimet e vajrave nuk janë ulur.

Bosët që kanë monopolin e vajit, nuk janë trembur as nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, jo se ai nuk ka fuqi ligjore për t’i ndëshkuar, por sepse e dinë që kryetari Denar Biba, është hedhur në veprim sa për show, nga kryeministri që është palë me abuzuesit.

“Miss zhvatësja” e kartelit të zi të vajrave ushqimorë, që po vazhdon spekullimin me çmimet e rritura 200% nën maskën e krizës së luftës, është Valbona Selimllari, ortakja dominuese me 60% kapital të firmës importuese, ambalazhuese e tregtuese “PDF SHPK”.

Me këtë firmë, Selimllari ka në zotërim 24% të tregut total të vajit Shqipëri, njohur si vaji “Olim”, i cili nuk u përmend as nga ish-zv/kryeministri Braçe kur denoncoi vajrat me emra, por as nga Denar Biba i Autoritetit të Konkurrencës.

Përveç vajit “Olim” të firmës “PDF Shpk”, Valbona Selimllari është dhe pjesë e tregut të vajit nëpërmjet firmës “Biomar”, por sidomos firmës “Globcom” që ka 75% të importit të vajrave.

Prej kësaj firme, furnizohen shumë firma të tjera tregtare, të cilat vajin e etiketojnë me emra të ndryshëm si “Olim”, “Floriol”, “Fiol”, “King”, “Bomira” “Zallota” “Diamond”, “Teuta” etj.; por “strumbullari” i tregut të vajit është Artan Mene, babai i fëmijëve të Valbona Selimllarit dhe pronar  i “Deka”, “City Park” e tre firmave të tjera.

Pjesë e kartelit mafioz të vajit në Shqipëri, është dhe firma “Devi-20 GRUP” me 22.8% të tregut me vajin “Floriol”, në pronësi familjare nga Ilir Linza me 50% aksione, Vjollca Ferra (Linza) me 25% aksione dhe Ardian Ferra me 25% aksione.

Një “Ferr” tjetër me logon “Ferra&Co” është në listën e grupit mafioz të vajit “King” me 9% të tregut, por dhe të krejt produkteve ushqimore, me pronar Isuf  Ferrën, i njohur si mik personal i kryeministrit Rama, i cili edhe e ka emëruar Kryetar të Dhomës së Tregëtisë Shqipëri-Serbi.

Pjesën prej 18% të tregut të vajit e zotëron firma “Globcocm” me pronar Tedi Beqaj me 63% aksione e Andi Kodra me 37% të aksioneve, i cili njëherazi është edhe ortak me Selimllarin te “Olim”.

Kompania “Bomira” me qendër në Urën Vajgurore dhe me pronar Ylli Aliajn, ka 11% të tregut të vajit, i cili thotë se e rafinon në Maqedoni, por në fakt është në vartësi të grupit “Deka-Olim” dhe pas tij me 65% të kapitalit qëndrojnë bullgarët Plamen Dimitrov Hinichovski dhe Boris Emilov Klein.

Nga 6% të tregut, zotërojnë firmat “Kriket-1 shpk” me pronar Ilirjan Qyteti dhe firma “Eqerem-934” me ortakë Kastriot e Bujar Mehmeti; ndërsa nga 2% të tregut e kanë Fiqo Ismaili i miellit e plehrave kimike të Vorës me vajin “Diamond” dhe Arben Babameto me firmën “Teuta” në Durrës.

Këto firma, në 90% të sasisë, shesin të njëjtin lloj vaji bullgar, të importuar nga çifti Artan Mene-Valbona Selimllari, por me emra e etiketa diferente… sikur janë marka të ndryshme; fakt që e konfirmon edhe Denar i (PA)Autoritetit të Konkurrencës, i cili thotë se vaji importohet e shpërndahet mes 9 firmave që përbëjnë kartelin e këtij produkti.

Por përveçse se 1 litër vaj po shitet me çmim sa 4% e pensionit mujor të pleqërisë, shteti nuk kontrollon cilësinë, përbërjen e sigurinë; ndërkohë që deri te kryeministri Rama, kanë shkuar prova analizash, se vaji që tregtohet në Shqipëri, ka përzierje të dëmshme nga mbetjet e bërsive të patates, lulediellit e misrit foragjer.