“Kemi ende probleme”, Tuhel evidenton pasiguritë: Dimë të fitojmë edhe pistë, rivali i rrezikshëm

Gallatasaraji-Bajern Mynih do të vihet në një test të pazakontë në Ligën e Kampioneve, kjo për shkakun e renditjes, formave me të cilat vijnë dhe pretendimeve në Champions. Edhe pse është e vështirë të besohet se skuadra turke ka grumbulluar 4 pikë në një grup ku gjenden bavarezët dhe Mançester Junajtidi.

Ata vijnë me seri mbresëlënëse deri në këtë pikë, asnjë humbje në të gjithë turnetë e sezonit 2023-2024, madje edhe më mirë se Bajerni, të cilët e kanë “përtypur” humbjen në Superkupë 0-3 karshi Lajpcigut. Tomas Tuhel, në vigjilje të duelit në fjalë, ka analizuar kundërshtarin dhe se çfarë pret nga ekipi, pa lënë në vijë të dytë edhe oshilacionet.

KUNDËRSHTARI- “Rezultatet e rivalit flasin qartë. Të fitosh në fushën e Mançester Junajtidit asnjëherë nuk është e lehtë dhe ata e realizuan. Po ashtu traditat në kampin e Gallatasarajit nuk mungojnë në Ligën e Kampionëve. Stili i tyre prezanton agresivitet, dalje të furishme dhe temp të lartë. Kanë arkëtuar 4 pikë pas dy javësh në grupe, vërtetë për t’u duartrokitur. Kërkoj nga djemtë të mbetemi sërish para tyre në renditje edhe pas kësaj sfide”, u shpreh Tuhel.

RËNDËSIA E IKARDIT- “Mauro Ikardin e cilësoj si lojtar kyç. Ai mund të bëjë diferencën në çdo moment, me pak fjalë futbollist goli dhe kërcënimi më i madh në portën tonë. Gjithsesi, vlen të theksohet se ekipi turk ka në përbërje grup të konsoliduar dhe me eksperiencë. Ecuria e gjatë pa humbje nuk është e rastësishme, kështu që duhet t’i marrim masat me kujdes. Besoj se më kuptoni se Gallatasaraji nuk është vetëm Ikardi”.

OBJEKTIVAT- “Ne nuk ia dolëm dot me sukses përgjatë sezonit të shkuar të konkludonim pikat që kishim si synim, edhe pse u përpoqëm të konkurronim me më të mirët në Champions. Tashmë jemi në sezon të ri dhe ndihet përmirësimi në reparte të caktuara. Por nëse do të thosha se jam i kënaqur me punën e deritanishme e kam të thjeshtë përgjigjen, mesatarisht.

Ky grup ka potencialin të ballafaqohet me çdo skuadër, ama duhet të rregullojmë disa hendeqe në evoluimin e lojës dhe fazave të caktuara. Mbrojta kërkon ende punë. Mjafton të shikoni pritshmëritë ndaj nesh, nuk lejohen më dështime. Presioni që ushtrojmë në shërbim të ekipit e konsideroj pozitiv, pasi vetëm kështu ata mund të shkojnë deri në limite, me qëllim të jemi perfektë, ndonëse nuk ia kemi dalë”.

STILI I LOJËS- “Kontrolli i topit dhe daljet e shpejta na kanë funksionuar me sukses në ndeshje të caktuara. Ka takime të tjera kur cilësitë individuale kanë rezultuar përcaktuese. Jam optimist me evoluimin e grupit, megjithëse lag asaj që unë dëshiroj. Nuk jam 100% i kënaqur me interpretimin e lojës nga grupi, por kemi ditur se si të fitojmë edhe kështu. Procesi i përshtatjes s’ka përfunduar as për mua, prandaj nevojitet durim”, përfundoi Tomas Tuhel.