Totenhemi do të kërkojë 100 milionë paund kesh të paguara menjëherë në rast se do të shesë Herri Kejnin në merkaton e kësaj vere. Mançester Junajtidi dhe Bajerni i Mynihut janë përfolur si dy destinacione të mundshme të kapitenit të Anglisë sezonin e ardhshëm, por “spërsat” nuk dëshirojnë që ta transferojnë bomberin më të mirë të tyre te një klub rival.Klubi shpreson që të rinovojë kontratën me 29- vjeçarin, e cila skadon në vitin 2024-ën. Por në rast se bisedimet do të dështojnë, “The Times” ka zbuluar planin e Totenhemit.
Dhe ai është që ta shesin yllin e skuadrës për minimalisht 100 milionë paund këtë verë dhe e kërkojnë një shifër të tillë kesh, në vetëm një pagesë, pra jo me këste. Në vitin 2021, Totenhemi refuzoi një ofertë prej 75 milionë paundësh, e cila bashkë me bonuset shkonte në 100 milionë paund.
Përveç Junajtidit dhe Bajernit, edhe Reali i Madridit është i interesuar për shërbimet e golashënuesit më të mirë të historisë së kombëtares angleze.
Por “spërsat” shpresojnë ende që Kejn të qëndrojë me ta dhe të thyejë rekordin e Alan Shirerit (260 gola në Premier Ligë), ndërsa sulmuesi është aktualisht në kuotën e 204 golave.
Kejn është gjithashtu golashënuesi më i mirë i historisë së Totenhemit (271 gola), por ende nuk e ka fituar trofeun e parë me klubin dhe kjo është një nga pengjet që mund të sjellë largimin e tij nga klubi.