Kërkon 7 milionë euro në sezon, Leao drejt transferimit te gjiganti i Europës. Ja kush pritet ta zëvendësojë

Rafael Leao në këtë 2023-sh ka dhënë vetëm një asist dhe situata po bëhet shqetësuese. Dikush fajëson skemën e të tjerë qasjen e lojtarit që vonon të rinovojë kontratën, e cila i skadon pas një viti.Deri më tani bisedimet kanë ngecur sepse kërkesa e futbollistit nuk mund të plotësohet nga klubi. 23-vjeçari synon të paktën të ketë një rrogë prej 7 milionë eurosh në sezon dhe që “Djalli” t’i shlyejë borxhin prej 9.5 milionë eurosh që i detyrohet Sportingut për prishjen e njëanshme të kontratës.

Njëkohësisht, menaxheri Zhorzh Mendesh po punon për ta çuar te Reali i Madridit, teksa menaxheri tjetër (avokat dhe mik i babait të Leaos) vijon kontaktet me ekipet angleze.

Luftë ndjenjash, por edhe milionash me sulmuesin që do të marrë një vendim në verë ose përndryshe do të shitet pasi klubi italian nuk dëshiron ta humbasë pa fituar asgjë siç ka ndodhur në vitet e fundit me Donarumën, Kesin dhe Çalhanoglunë.

PASUESI – Siç thamë, oferta e kuqezinjve është 6.5 milionë në sezon dhe nuk do të donin ta kalonin këtë shifër. Në rast se nuk gjendet akordi, drejtuesit e “Djallit” mund të detyrohen ta shesin portugezin me klubet më të mëdha europiane që qëndrojnë gjithmonë në dritare.

Për këtë arsye, Milani do të vlerësonte dy alternativa si pasardhës të Leaos. I pari është Alen Sen-Maksimë nga Njukasëlli dhe tjetri mbetet Lang nga Bryzhi.Prandaj, kuqezinjtë mund të detyrohen në një shitje të dhimbshme, por pa rinovim, vendimi do të ishte në mos i domosdoshëm, i nevojshëm.

Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e numrit 17 të “Djallit” është në masën 85 milionë euro, një shifër lehtësisht e shpenzueshme nga klube si Reali apo Çelsi që vijojnë të mbajnë nën mbikëqyrje situatën e portugezit.