Ronald Arauho është kthyer në një lojtar thelbësor për Barcelonën, teksa ndaj Almerias ai luajti takimin numër 100 me fanellën “Blaugrana”.Uruguaiani ka dhënë një intervistë për një nga mediumet e klubit, duke i bërë një analizë sezonit aktual të Barçës me fokus te “Klasikja” e së enjtes në Kupën e Mbretit në Madrid.
“Vijmë nga dy humbje të rënda, por pavarësisht atyre, skuadra është e fortë. Ne e dimë potencialin tonë dhe punën që po bëjmë me Ksavin. Është koha të zgjohemi dhe ndërrojmë çip. Gara është ende shumë e gjatë, nuk kemi fituar asgjë. Klasikja kundër Realit vjen në momentin e duhur. Kjo është një ndeshje e veçantë për të gjithë. Askush nuk do ta humbasë këtë takim. E kemi të qartë se Reali është një rival i madh, ka lojtarë të shkëlqyer, por ne nuk jemi më pak. Shkojmë në Madrid për të bërë lojën tonë në kërkim të rezultatit. Duhet të tregojmë maturi dhe zgjuarsi”, tha ai.