Jo vetëm në Shkodër, por edhe në qytete të tjera të vendit dyshohet se grupet kriminale kanë montuar kamera sigurie për të monitoruar pjesëtarë të grupeve kriminale rivale dhe lëvizjet e efektivëve të policisë lokale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar drejtorët në 12 qarqet e vendit për të ushtruar kontrolle të gjera. Sipas burimeve, urdhri i kryepolicit ka të bëjë me identifikimin e kamerave pa Zot, që nuk janë në emër të askujt dhe nuk justifikojnë vendin e instalimit në hapësira publike. Në Tiranë, thonë burimet, po verifikohen disa zona me risk të lartë ku banojnë anëtarë të disa grupeve kriminale. Ndër to, në afërsi të rreth rrotullimit të TEG-ut, pranë “21 Dhjetorit”, apo zonës së Astirit. Kontrolle do të ketë edhe në qytete të tjera me aktivitet të lartë kriminal si Elbasani, Vlora dhe Durrësi. Ndihmë për identifikimin dhe çmontimin e këtyre kamerave është kërkuar edhe nga institucionet e bashkive, njësive administrative, kryepleqve apo administratorëve të pallateve. Ndërkohë në Shkodër ku u sekuestruan dhe u çmontuan 21 kamera sigurie, vijon hetimi për të zbardhur autorët që i kanë komanduar në distancë dhe serverat që i kanë ruajtur. Edhe pse janë shoqëruar disa pjesëtarë të dy fiseve, Bajri dhe Lici asnjë prej tyre nuk ka ndihmuar hetuesit në hetime. Dyshimet janë se serverat e këtyre kamerave të jenë jashtë shtetit dhe komandimi i tyre bëhet përmes valëve të internetit. Operacioni i Policisë së Shkodrës për çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtylla elektrike në ato që konsiderohen si bazat e fiseve që janë në konflikt me njëri-tjetrin prej shumë vitesh, ka çuar në shoqërimin e disa personave. Shoqërime ka pasur si nga anëtarët e fisit Lici edhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë, teksa po punohet për gjurmimin e serverit që ruan materialet filmike të këtyre kamerave të sigurisë. Gjurmimi i tyre pritet të jetë i vështirë për shkak të cilësisë së avancuar. Përmes internetit, ato mund të komandohen edhe jashtë shtetit dhe për këtë arsye hetuesit po punojnë për të pasur rezultate