Kryebashkiaku Veliaj e pranon: Transporti publik në prag kolapsi

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka qenë sot në Komisionin e Ligjeve për të diskutuar projekt/buxheti për 2022 ku u ndal te transporti publik për të cilin tha se është në prag kolapsi.

“Sot jetojmë në një situatë ku tregu energjetik është ky që është, tregu i naftës është ky që është. Ne kërkojmë që ai vullnet i qeverisë, të reflektohet edhe një dakordësi në parlament, sidomos për të ndihmuar operatorët e transportit publik”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se pret nga qeverisja qendrore dhe Kuvendi që të ndihmohet Bashkia dhe operatorët e transportit publik përmes këtyre masave lehtësuese.

“Ne nuk duam të rrisim çmimin edhe pse çmimi i një biletë sot në Prishtinë me dy linja autobusi është gjysmë euro, në Tiranë është 40 lekë. Një mënyrë dhe një propozim që ne kemi bashkë me Qeverinë është që ne të heqim TVSH e biletës, në vend që të rrisim biletën me 20%, atë 20% e rikuperojmë nga heqja e TVSH-së.

Disa veprime të tjera mund të bëhen për doganën dhe TVSH e mjeteve të transportit publik. Një tjetër mund të jetë një rimbursim i TVSH-së apo akcizës së naftës. Transporti publik është në prag të kolapsit”, tha Veliaj.