Ndërtimi i një ujësjellësi, brenda kanionit të Sinecit në Kuçovë, ka bërë që në terren të shkojnë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një prokuror i posaçëm i SPAK.
Çështje penale, ka marrë spunto nga një kallëzim i muajit Maj 2021, i depozituar në prokurori nga 123 banorët e fshatit Lumas, ku i paditur është kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari dhe zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie si dhe administratori i kompanisë së ndërtimit “Salillari”, Pëllumb Salillari.
Hetimet për këtë dosje kanë përparuar dhe se në ditët në vijim ka shumë gjasa që SPAK, të veprojë me arrestimin e disa zyrtarëve të bashkisë Kuçovë.
Sipas burimeve të “kofidenciale” grupi i SPAK në total ka qenë i përbërë nga 8 persona, prokuror, oficerë, ekspertë mjedisorë dhe inxhinierë ndërtimi që kanë ushtruar një inspektim në terren.
Grupi i udhëhequr nga prokurori i SPAK, ka konstatuar paligjshmëri në zbatimin e projektit dhe paligjshmëri në mënyrën e hapjes se procedurave tenderuese me qëllim zgjedhjen e firmës fituese “Salillari” në këtë projekt.
Mes shumë veprimeve në teren, oficerët e BKH-së, kanë marrë në pyetje në fshatin Lumas 123 personat që kanë depozituar kallëzimin penal në SPAK.
Të gjithë banorët kanë treguar se kanë ujë të pijshëm nga ujësjellësi që vetë bashkia ka bërë dhe sipas tyre, ky projekt është i panevojshëm dhe nuk i shërben banorëve të zonës por kryhet me qëllim vjedhjen e fondeve të bashkisë.
Sipas banorëve të zonës, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka miratuar lejë ndërtimi të një ujësjellësi, në Kanionin e Lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur monument Natyre me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002, për shpalljen si zonë e mbrojtur dhe monuiment natyre.
Në këtë zonë është dhe një burim uji, i cili është pjesë e këtij monumenti natyror.
“…bashkinë Kuçovë nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në Kanionin e Lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre…”-thuhet në kallëzimin penal të 123 banorëve të Lumasit.
Fillimi i punimeve në teren nga kompania “Salillari”, e cila shtriu tubacionin përmes kanionit të Sinecit me qëllim marjen e ujit në vendburim, çoi në pranverën e këtij viti protesta dhe përleshje mes policisë së Beratit dhe banorëve të zonës së Lumasit.
Aktualisht projekti është i pezulluar pasi SPAK po ndjek me veprime hetimore procedurën, ndërsa në gjykatën Administrative të Vlorës, vijon një proces civil mes banorëve të zonës dhe Bashkisë së Kuçovës.