Kualifikimi i zikaltërve në 1/8 e Champions-it, Onana në delir: Ky Inter fiton gjithçka!

Andre Onana është tashmë portieri i parë i Interit, një situatë që në Milanon zikaltër e kanë pranuar të gjithë, edhe Samir Handanoviç që së fundmi është kthyer në këshilluesin numër 1 të kamerunasit, i cili ka rënë në sy edhe për pasimet e gjata të tij që shpesh konkretizohen në gol.

“Merita e pasimeve të gjata të miat u takon sulmuesve, pasi i gjej gjithmonë gati dhe mund të provoj gjithmonë.

Pastaj nëse flasim për Handanoviç, Samiri i ndihmon të gjithë, jo vetëm mua. Është një portier i madh, luajmë në mënyra të ndryshme dhe nuk mund të them që është modeli im, por ai është kapiteni ynë dhe jemi miq”, e nisi fjalën 26-vjeçari duke vazhduar:

“Jam i kënaqur për kualifikimin dhe mbi të gjitha që erdhi në një grup të vështirë si ky. Kemi treguar që jemi skuadër e madhe dhe unë gjithmonë kam qenë optimist.

I respektoj të gjithë kundërshtarët, por e di sa e vështirë është të na mundësh ne. Dua të ëndërroj dhe mund të ëndërroj, pasi mendoj se me këtë skuadër mund të fitojmë gjithçka”.

Në fund një koment Onana e rezervoi edhe për Lukakun:

“Asnjëherë nuk kisha parë kaq shumë dashuri të të gjithë skuadrës për një individ dhe këtë e kanë treguar edhe tifozët, duke konfirmuar edhe rëndësinë e tij për Interin”.