Holanda do të presë Francën sonte në mbrëmje në kualifikueset e “Euro 2024” dhe trajneri i portokallinjve, Ronald Kuman, e sheh me optimizëm përballjen.
Në Holandë nuk e kanë harruar ende humbjen 4-0 në mars të këtij viti në Paris dhe në Amsterdam do të kërkojnë revanshin. Trajneri i Holandës nuk është gati të firmosë për barazimin, teksa ka kërkuar nga ekipi i tij fitoren, ndonëse duke nënvizuar se Franca është favoritja e madhe.
“A jam i kënaqur me një barazim? Epo, nëse humbim tri shanse të mëdha, jo”, tha Kuman në një konferencën për shtyp të enjten.
“Shumica e njerëzve presin që Franca të fitojë, kjo është e kuptueshme. Por kjo nuk do të thotë se suksesi ynë është i pamundur”.
SHUMË MUNGESA – Ashtu si në mars, Kumanit i mungojnë shumë lojtarë në takimin e sotëm. Frenki de Jong, Matajs de Ligt dhe Kodi Gakpo do të jenë tri mungesa mjaft të rëndësishme. Por sipas trajnerit holandez, situata tani është më e mirë se në Paris, ku disa lojtarë munguan për shkak të një problemi shëndetësor. “Kemi disa mungesa, por situata as nuk krahasohet me atë çfarë ndodhi para përballjes në Paris. Kam 23 lojtarë gati dhe kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi ai.
ANALOGJI ME NJUKASËLLIN – Sipas mediave holandeze, në takimin kundër Francës, Kuman pritet të bëjë disa ndryshime në rreshtimin e ekipit. “Nuk mund të lejojmë të bëjnë ato gabime që ndodhën në Paris. Franca është një skuadër me shumë përvojë. Kanë sulmues që luajnë prej vitesh së bashku edhe pse janë të rinj në moshë. Por po, së fundmi pashë Njukasëllin të mposhtë Paris SG-në. Kjo do të thotë se në futboll nuk ka asgjë të pamundur”, tha ai.