Kurthi që ‘fshiu’ batalionin rus në Ukrainë/ Skena të shkatërrimit absolut

Nga Joe Inwood, BBC

Dalin në dritë më shumë informacione mbi raportimet se forcat ruse dështuan në një përpjekje për të kaluar një lum në Ukrainën lindore- duke humbur pothuajse një batalion të tërë.

Janë skena të shkatërrimit absolut- një përpjekje për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës ka përfunduar në mënyrë katastrofike.

Tanket dhe automjetet e blinduara ruse të djegura shtrihen në bregun lindor të lumit Donets, në rajonin e Luhansk.

Ura ponton gjysmë e ndërtuar duket mbi ujë.

Mendohet se pothuajse një batalion i tërë me automjete ka humbur- nuk dihet sa njerëz janë vrarë.

Në konferencën e saj të mëngjesit, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se ajo që ndodhi tregon presionin në rritje ndaj komandantëve rusë.

Por ata duket se po bëjnë përparim diku tjetër- sipas disa raportimeve, ata kanë marrë qytetin e afërt Rubizhne/ kjo do të thotë se qyteti i rëndësishëm strategjik i Severodonetsk është i rrethuar nga tre anët.

Nëse forcat ruse do e marrin atë, kjo do të thotë se mund të kontrollojnë një numër kalimesh mbi lumë, gjë që së fundmi u ka kushtuar kaq shtrenjtë.