“Lautaro për ‘Top të Artë’”, Inzagi para ndeshjes me Salcburgun: Duhet përqendrim, dyshime për formacionin

Interi do të presë sot në 18:45 Salcburgun në “San Siro”, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Simone Inzagi ka kërkuar përqendrimin maksimal nga skuadra në një ndeshje që do t’u shërbejë zikaltërve për të mbajtur kreun e Grupit D (aktualisht e ndajnë me Sociedadin).

Si arrin Interi në këtë ndeshje?

Të shtunën fituam një ndeshje të rëndësishme dhe jo të lehtë. Skuadra shkon mirë, është ndeshje shumë e rëndësishme, në një grup shumë të balancuar, ku do të duhet të mbajmë përqendrimin të lartë, sepse Salcburgu nuk është një ekip i lehtë për t’u përballur.

Çfarë mendoni për fillimin e Turamit?

Mendoj se cilësitë e tij ishin të njohura për të gjithë, është normale që kur ndryshon kampionat të ketë vështirësi për t’u vendosur, por duhet të vazhdojë kështu. E kemi nisur mirë, por në përgjithësi skuadrat e mira janë ofensive dhe shënojnë gola.

Cilat janë dyshimet tuaja për formacionin? A do të luajë Barela?

Kam disa dyshime për formacionin. Është e qartë se do të ndryshoj diçka, sepse rotacionet duhet të jenë një vlerë e shtuar me lodhjen fizike dhe mendore që ndihet. Kam shumë lojtarë që pushuan pak nga angazhimi me kombëtaret dhe do të më duhet të vlerësoj.

A duhet “falënderuar” Lukaku, duke parë atë që po ndodh me Turamin?

Turam po bën gjëra të shkëlqyera. Ne do të mendojmë për Romën dhe Lukakun nga e mërkura e tutje. Ne duhet të fokusohemi te Salcburgu sepse ata janë një ekip që fiton në kampionat dhe gjithmonë janë pjesë e Ligës së Kampioneve.

A e keni frikë këtë ndeshje?

Ashtu si të gjitha, por kjo edhe më shumë, sepse në një grup kaq të balancuar e dimë se çdo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme. Do të duhet vendosmëri e madhe. Gjejmë një kundërshtar që luan mirë, në mënyrë agresive. Në fazën përgatitore ata luajtën me një modul tjetër. Është një ekip që di të ndryshojë dhe që zotërimi vertikalizohet te sulmuesit fizikë. Do të na duhet një ndeshje prej Interi të vërtetë.

Ju ndihmon apo tremb të dini që nuk mund të humbni pikë në kampionat?

Përqendrimi duhet të jetë gjithmonë maksimal. Ne jemi të parët në Champions League dhe kampionat, por është një e katërta e sezonit. Ka shumë ndeshje përpara dhe ne duhet të jemi të mirë për të përballuar çdo rrezik që mund të sjellin kundërshtarët në vijim.

Ndonjëherë keni humbur zërin dhe kohët e fundit nuk ju ka ndodhur shpesh. Nga ana tjetër Alegri hedh xhaketën…

Më ka ndodhur më parë dhe tani më ndodh më pak. Këtë vit vetëm gjatë javës dhe po mundohem të përmirësohem, sepse e kam këtë problem, por jam duke e punuar.

A është Lautaro i denjë për “Topin e Artë”?

Po, për rrugëtimin që ka bërë dhe trofetë që ka fituar. Ai duhet të jetë atje atë natë, nuk mendoj se do të fitojë, por ai e meriton atë që po merr. Ai ka bërë gjithashtu shumë mirë në dy vitet e mëparshme.