Një sezon me disa ulje-ngritje ai i Milanit, nuk i ka shpëtuar analizës së Andrij Shevçenkos. Në një intervistë të shkurtër për “Sportmediaset”, ish-sulmuesi kuqezi ka deklaruar:
“Nëse vjen vendi i katërt atëherë sezoni për Milanin nuk mund të quhej i keq. Vërtetë doli shpejt nga lufta për titull, por shkoi deri në gjysmëfinale të Champions-it. Ajo humbje në derbi mbetet e rëndë dhe Interi meritoi të kualifikohej, por duke pasur parasysh vështirësitë nuk mund të thuhet se Pioli ka bërë një punë të keqe. Është një trajner i madh për mendimin tim dhe vjet e fitoi titullin me meritë. Shpresoj që të kthejë skuadrën në ato ritme”.
Teksa nesër duhet të vijë zyrtarizimi i Leaos, Paolo Maldini ka nisur kontaktet e para për ata që do të jenë përforcimet e verës. Lidhur me këtë aspekt, Sheva nënvizoi:
“Leao me siguri është një lojtar i rëndësishëm, le të shpresojmë që të qëndrojë, meqë Maldini tha se do të qëndrojë. Sipas mendimit tim ai mund të rritet edhe më shumë, megjithatë nevojiten blerje për të bërë edhe më mirë. E njoh shumë mirë Paolon dhe jam i bindur që do të bëjë gjithçka për të forcuar skuadrën së bashku me Masarën. Tifozët duhet të besojnë tek ata”.