Lefter Maliqi kallëzim në SPAK: Zgjedhjet në Kuçovë u vodhën, gjëma u bë në 17 kutitë e fundit

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kuçovë, Lefter Maliqi, ka bërë kallëzim në SPAK për zgjedhjet e 14 Majit, ku pretendon se i janë vjedhur votat.Maliqi ka kërkuar të hetohen funksionarët  e KZAZ Kuçovë dhe funksionarëve të ngarkuar me detyrën e komisionit zgjedhor në Kuçovë.

Në padinë drejtuar SPAK ai parashtron shkeljet që ka pikasur gjatë procesit të votimit në Kuçovë.

Gjatë procesit të votimit ka pasur probleme me kamerat e sigurisë në pjesën më të madhe të qendrave gjatë gjithë paradites, një fakt ky që nuk tregon se kemi transparencë dhe siguri për të garantuar votën e lirë, por janë krijuar kushte për të përgatitur vjedhjen me çdo kusht të votës. Ky fakt, pra mungesa e sistemit të sigurisë, ka qenë një mangësi ligjore e cila ka qenë detyrim ligjor.”-shkruan në dokumentin e paraqitur në SPAK.

Po ashtu Maliqi shprehet se gjatë dorëzimit të kutive janë konstatuar parregullsi dhe janë dorëzuar dorazi vulat nga komisionerët dorëzues të disa qendrave.

Ka një sërë shkeljesh të mëdha. Të gjitha këto shkelje janë të urdhëruara politikisht nga ministri Çuçi me Policinë e Shtetit dhe nga oligarku  Pëllumb Salillari. Vjedhja është e hapur. Kam bindje totale që Bashkia Kuçovë me tu hapur kutitë dhe po të ketë hetim pa ndikim politik, jam i bindur këtu ka krim shtetëror dhe elektoral. Krimi shtetëror është më i madh sepse janë hedhur miliona euro për të blerë mandatin e Bashkisë Kuçovë.”-ka deklaruar ai.

Maliqi tha se drejtorë të bashkisë merrnin pjesë në numërim. Sipas Maliqit, vjedhja ka ndodhur në 17 kutitë e fundit.

Në KZAZ-në e Kuçovës ishte një derë ngjitur, afër tavolinave e cila dilte nga Qendra e Kulturës dhe më pas te shkolla e mesme. U gjetën kuti pa kode, pa vula e shumë shkelje të tëra. Gjithë gjëma u bë në 17 kutitë e fundit dhe është bërë nga ora 11:30 në mënyrë të pabesë me urdhër politik. Gjëma është bërë në 17 kutitë e fundit ku unë kam dyshime të provuara që kanë ndërruar kuti, prandaj janë gjetur kuti pa vula, fletë votimi të dyshimta e të gjitha me radhë”, tha Maliqi.

Ai u shpreh i bindur se ka fituar. Nëse kutitë hapen dhe rezulton e kundërta, Maliqi tha se do të tërhiqet përfundimisht nga politika.

Unë kam vënë në dijeni ODIHR tre herë. Kam një besim të patundur që kjo do zbardhet dhe mandati i bashkisë është i fituar. Lefter Maliqi bashkë me qytetarët e majtë dhe të djathtë të Kuçovës ka fituar për herë të parë bashkinë e Kuçovës edhe kundër kandidatit të Alibeajt, edhe kundër kandidatit të PS-së. Për këtë kam bindje totale. Nëse kutitë hapet dhe nuk del ky rezultat, unë tërhiqem nga politika përfundimisht”, tha Maliqi.

Zgjedhjet në Kuçovë i fitoi kandidati i PS-së, Kreshnik Hajdari.