Legjenda zikaltër e preferuar është Zaneti”, rrëfimi unik i Asllanit: Përulësia pikë fikse e karrierës, datat më të rëndësishme në jetë…

Mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, foli për kanalin e klubit para ndeshjes me Sasuolon, duke iu rikthyer debutimit të tij me zikaltrit.

Më kujtohet shumë mirë hera ime e parë në fushë, ende shikoj videon e asaj dite. Emocioni më i madh sot është të mendoj për atë që kam bërë gjatë viteve, duke ëndërruar dhe më pas gjetur veten në “San Siro”. Si tifoz i Interit është gjëja më e mirë që mund të më ndodhte. Jam rritur me Interin, unë ende e mbaj mend finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 2010, isha me babanë në një lokal dhe brohorita shumë”, tregoi 21-vjeçari për emocionet e para si lojtar i Interit, klub me të cilin ndan edhe ditëlindjen.

Më 9 marsin e 1908-ës u themelua klubi milanez, ndërkohë që Kristjani lindi në Elbasan më 9 marsin e 2002-shit, për t’u bashkuar me këto ngjyra më 30 qershor 2022: “Kur u zyrtarizova tek Interi ishte e pabesueshme, në të njëjtën ditë mora edhe patentën dhe ishte një emocion i dyfishtë, padyshim që arritja te zikaltrit ishte realizimi i ëndrrës që kisha pasur që kur isha fëmijë”. Në vazhdimësi të intervistës, Asllani tregoi edhe një sërë detajesh të tjera nga jeta personale dhe ajo si zikaltër, nga lidhja me familjen te shokët dhe idhujt.

DATAT – “Datat më të rëndësishme përfshijnë padyshim 30 qershorin e 2022-shit, kur u transferova tek Interi, por edhe ato të lidhura me familjen time. 2010-ta është viti kur ka lindur vëllai im i vogël. Ta shikoj të rritet çdo ditë është një emocion i veçantë, kemi një raport shumë të bukur, luan futboll edhe ai dhe më e rëndësishmja është që argëtohet. Pastaj dy data të tjera janë 1974-a dhe 1984-a, vitet në të cilat kanë lindur prindërit e mi. Do t’i falënderoj përjetë për atë që kanë bërë për mua”.

5 CILËSITË DALLUESE – “Pasioni është ai që nxit gjithçka, motori që lëviz çdo hap timin që kur jam fëmijë. Përkushtimi është ai që më lejon të marr maksimumin nga vetja, duke u përqendruar në punë. Respekti është një nga rregullat e para që të mëson ky sport dhe është gjithashtu një nga më të rëndësishmit. Pastaj është përulësia, jam i vetëdijshëm që nuk ndalon kurrë së mësuari dhe së rrituri, është një pikë fikse në rrugën time. Më në fund është qetësia, është thelbësore, unë kam një karakter shumë të qetë dhe kjo më ndihmon edhe në fushë”.

SHOKU DHE IDHUJT – “Cili nga djemtë është më argëtues? Barela, është shumë simpatik. Pastaj legjenda zikaltër e preferuar është Zaneti. Jam rritur me të dhe i mbaj mend mirë vitet kur ai ishte në fushë. Viti i tripletës për shembull”.

USHQIMI – “Pjata ime e preferuar? Do të thosha pica”.