Kabul – Një zyrtar i lartë taleban ka përsëritur zotimin ende të paplotësuar se do të lejojnë që vajzat të vazhdojnë shkollën e mesme, duke thënë se do të ketë “lajme të mira së shpejti”, por nga ana tjetër sugjeroi se gratë që protestuan kundër kufizimeve të të drejtave të grave duhet të qëndronin në shtëpi.
Sirajuddin Haqqani, ushtrues i detyrës i Ministrit të Brendshëm të Afganistanit dhe bashkë-udhëheqës i talebanëve që nga viti 2016, i bëri komentet në një intervistë ekskluzive me kamera, përballë fytyrës së gazetares Christiane Amanpour të CNN në Kabul.
Në mars, pas shumë premtimeve se vajzat do të mund të ndiqnin shkollën e mesme, talebanët e kthyen mbrapsht vendimin e tyre, duke e shtyrë kthimin për një kohë të pacaktuar.
Kur u pyet për gratë afgane që thonë se kanë frikë të largohen nga shtëpitë e tyre nën sundimin e talebanëve dhe ato që kanë raportuar një ndikim rrëqethës të udhëheqjes së grupit militant, Haqqani shtoi duke qeshur: “Ne i mbajmë gratë e prapa në shtëpi”.
Pasi u kërkua të sqaronte komentin e tij nga gazetarja Amanpour, ai tha: “Duke thënë gra të prapa, ishte një shaka që i referohet atyre grava të pabindura që kontrollohen nga disa palë të tjera për të vënë në pikëpyetje qeverinë aktuale”.
Haqqani vendosi gjithashtu disa parametra për të ardhmen e grave dhe punës, që do të kufizohen nga interpretimi i ligjit islam prej talebanëve dhe nga “parimet kombëtare, kulturore dhe tradicionale”.
“Ato janë lejuar të punojnë brenda kornizës së tyre,” i tha ai Amanpour.
Ministri taleban e dha intervistën e tij të parë ndër vite me kamera për një media perëndimore, vetëm disa muaj pasi e shfaqi fytyrën e tij në publik për herë të parë.
Zyrtari i rangut të lartë dhe që qendronte i fshehtë, kërkohet nga FBI dhe është klasifikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një “terrorist global”. Ka një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij