Vera e zikaltërve është karakterizuar nga hyrje-dalje në çdo rol dhe në fund të merkatos Inzagi do të ketë ndryshime në të gjitha pozicionet. Drejtuesit duket se po formojnë një skuadër për të tashmen dhe për të ardhmen, me stafetën që u ka kaluar protagonistëve që po krijojnë një organikë më të re dhe me kosto më të ulëta.
ZOMER-ONANA – Përvoja, tipari që bashkon Andre Onanën dhe Jan Zomerin, e shkuara dhe e tashmja e portës të Interit. Kamerunasi është 27 vjeç, Zomer 34 dhe ndërsa i pari ka luajtur 34 ndeshje për kombëtaren, i dyti ka luajtur 83 për Zvicrën. CVja ndërkombëtare është e pasur, Onana erdhi si dikush që kishte luajtur finalen e Ligës së Europës, kurse Zomer vjen si kampion i Bundesligës dhe 4 herë kampion i Zvicrës me Bazelin. Andre u shit për 52 milionë euro plus 5 bonuset, Jan u ble për 6 milionë dhe do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, 1 më shumë se paraardhësi.
AUDERO-HANDA – Interi i tha lamtumirën kapitenit me 455 ndeshje me zikaltrit, lojtari i dhjetë me më shumë paraqitje në historinë e klubit. Në vend të 38-vjeçarit që i skadoi kontrata, mbërriti në huazim me të drejtë blerjeje Audero, 26-vjeçari i Sampdorias, që do të përfitojë 800 mijë euro, krahasuar me 2.5 milionët e sllovenit.
BISEK-D’AMBROZIO – Nga një i besuar në një bast. Interizmi i 34-vjeçarit u zëvendësua nga freskia e Bisekut, 22-vjeçari që erdhi nga Arhus pas klauzolës prej 7 milionë eurosh që do të paguhet në tri vjet. Kapiteni i Gjermanisë U-21 është i lidhur me zikaltrit deri në 2028-ën dhe mund të jetë një xhol i çmuar, duke pasur parasysh që mund të luajë si në qendër dhe në të majtë. Do të përfitojë 800 mijë euro, Danilo përfitonte 2 milionë. PAVAR-SHKRINIAR Zëvendësuesi i sllovakut është duke ardhur. Interi beson shumë te 27-vjeçari për të mbushur boshllëkun që ka lënë largimi i Shkriniarit drejt Parisit. Një vit më i ri se paraardhësi, mbrojtësi i Bajernit vjen me një palmares plot. Me Bajernin ka fituar gjithçka ndër të cilët 4 tituj kampion dhe 1 Ligë Kampionesh, ashtu si Botërorin me Francën në 2018-ën. Shkriniari fitonte 3 milionë euro, ndërsa Pavar pritet të fitojë 4 milionë (fitonte 5 te Bajerni).
KUADRADO-BELANOVA – Për të marrë stafetën e krahut të djathtë u desh aksi Milano Torino. Belanova iu bashkua Torinos dhe Kuadrado la Juven, për të qenë alternativa ose konkurrenti i Dumfrisit. Një ndryshim pa kosto, duke qenë se kolumbiani ishte i lirë pas skadimit të kontratës me “zonjën” dhe italiani ishte i huazuar. Nëse Raul shihej si e ardhmja, Kuadrado është sinonim i përvojës. Kostot u rritën nga 900 mijë euro për Belanovën në 2.5 milionë për Kuadradon.
FRATEZI-BROZOVIÇ – Nga një regjisor në një fantazist. Ish-mesfushori i Sasuolos është 7 vite më i ri se 30- vjeçari kroat dhe përveç rinimit të skuadrës ka edhe kosto më të ulëta, pasi do të përfitojë vetëm 2.8 milionë deri në 2028-ën krahasuar me 6.5 milionë eurot e Brozos. Kroati u shit për 18 milionë euro, ndërsa italiani kushtoi 33 milionë në total.
SENSI-GALJARDINI – Një i njohur i vjetër. Stefano Sensi do të ketë një tjetër shans tek Interi. Numerikisht zë vendin e Galjardinit edhe pse janë dy pole të kundërta: dhunti dhe imagjinatë nga njëra anë, fizikë dhe disiplina nga ana tjetër. Një tjetër “shkëmbim” pa kosto, me 28- vjeçarin Sensi një vit më të ri. Galjardini fitonte 1.5 milionë në sezon, Stefano 2.
AUGUSTO-GOSENS – Thirrja e Gjermanisë ka tërhequr Gosensin. Robin jashtë, Karlos Augusto brenda. Interi është rinuar në të majtë, me 24-vjeçarin që i heq 5 vite korsisë. Gosens ka më shumë eksperiencë, duke marrë parasysh ndeshjet e luajtura në Champions League me Atalantën dhe kombëtaren. Gosens u shit për rreth 15 milionë, ndërsa për ish-mbrojtësin e Monzës Interi pagoi 4.5 milionë për huazimin plus 7.5 për blerjen, me 2.2 milionë që do të shkojnë për rrogën krahasuar me 2.5 për Gosensin.
ARNAUTOVIÇ-XHEKO – Sulmuesi i ri me peshë pas lamtumirës së Xhekos pas skadencës së kontratës është Marko Arnautoviç. Karakteristika të ngjashme: fizik, gola, madje edhe dhunti dhe njohja e futbollit italian. 34-vjeçari i Bolonjës është tri vjet më i ri se boshnjaku dhe u kthye në Milano për 10 milionë euro përfshirë bonuset. Të dy janë pika referimi për kombëtaret e tyre përkatëse: Xheko me 129 ndeshje për Bosnjën (64 gola), Arnautoviçi 108 (34 gola) për Austrinë. Pastaj, palmaresi është shumë ndryshe: Marko fitoi vetëm me Interin në vitin e tripletës, ndërsa “mjellma” ka grumbulluar tituj të shumtë mes Italisë, Bundesligës dhe Premier League. “Ndryshimi” i lejon Interit të kursejë diçka edhe në pagë: nga 5 milionë për Xhekon në 3.5 për Arnautoviçin.
TURAM-LUKAKU – Ideja fillestare ishte të luanin së bashku, por planet ndryshuan. Turam e gjen veten si partneri i Lautaros, “TuLa” në vend të “LuLa”-së së lavdishme. Numri 9 i ri i zikaltërve mbërriti me parametër zero nga Borusia Mynshengladbah, ndërsa Romelu u largua pas skadimit të huazimit nga Çelsi. Belgu ishte më i paguari i skuadrës me 8.5 milionë euro, kurse Turam do të jetë ndër më të paguarit me 6 milionë.