Reali i Madridit e ka kaluar me sukses provën e parë në Madrid përballë Çelsit. Skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti ka fituar me shifrat e pastra 2-0.
Tashmë Realit të Madridit i duhet të rezistojë në 90 minutat e së martës së ardhshme në Londër për të siguruar një vend në gjysmëfinale dhe pse jo për të përsëritur gjysmëfinalen e sezonit të kaluar kundër Mançester Sitit.
Vetë trajneri Ançeloti dhe drejtori i klubit, Emilio Butragenjo, e kanë parashikuar betejë sfidën e javës së ardhshme në “Stamford Bridge”.
Por te Reali askush nuk e mendon dështimin, aq më shumë pas triumfit të djeshëm.
Në Londër, Reali nuk do të luajë vetëm në planin sportiv, por kualifikimi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve vlen edhe disa miliona euro më shumë.
Në rast kualifikimi Madridi do të përfitojë dhe 12.5 milionë euro të tjera, aq shumë të domosdoshme për operacionet e merkatos që pritet të kryejë klubi verën e ardhshme me Bellingamin, Gabi Veigën dhe Dibalën, në listën e blerjeve.