Simone Inzagi iu shmang në sekondat finale humbjes së pestë në gjashtë ndeshjet e fundit, të cilat do ta kishin shkundur shumë keq pankinën e tij, e cila gjithsesi është lëkundur jo pak. Por në fund, barazimi në Torino me Juventusin, në gjysmëfinalen e vajtjes së Kupës së Italisë, është një rezultat pozitiv, në pritje të ndeshjes së kthimit, më 26 prill, në stadiumin “San Siro”.Inzagi, na ndihmoni që të rindërtojmë fundin e ndeshjes?
Pamjet e asaj që ndodhën në fushë mendoj se janë të qarta, prandaj unë shpresoj që pasi të rigjykohen, t’i hiqet i verdhi i dytë Lukakut, i cila i përjashtoi nga fusha. Diçka e tillë ndodhi edhe me Lokman të Atalantës, prandaj kam besim. Fundja, Lukaku nuk është që bëri diçka kundër tifozërisë së Juventusit, por festoi në mënyrën e tij, siç bën gjithmonë dhe u keqkuptua nga arbitri. Fatkeqësisht, ajo që ndodhi më pas me Handanoviçin duhej të ishte shmangur, pasi në këtë mënyrë humbin dy lojtarë tepër të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë, në pamje shihet Xheko që feston me shumë zjarr poshtë tribunës së tifozëve tuaj…
Është e qartë se nuk jemi në një periudhë shumë pozitive, për sa i përket rezultateve në kampionat. Dhe fakti që Xheko e ndien shumë këtë rezultat dhe bluzën e Interit tregon se kemi të bëjmë me lojtarë të përgjegjshëm, që i dinë vështirësitë e momentit dhe mundohet që t’u tregojnë adrenalinën e tyre edhe tifozërisë. Gjithsesi, unë mendoj se kundër Juves bëmë një ndeshje madhështore. Edhe nëse do të kishim humbur, do të kishte qenë një paraqitje super nga ana jonë, në një stadium ku e dimë mirë të gjithë se sa e vështirë është që të fitosh.
Por nuk shënuat sërish…
E thashë, është një moment i vështirë, por fakti që pas golit të Kuadrados skuadra nuk u çorientua dhe nuk u shpërbë, është sinjal i fortë se e kemi kokën mbi shpatulla dhe ky është vetëm një moment negativ që lidhet edhe me fatin e keq, përpara portës. Krijojmë shumë, por nuk arrijmë të konkretizojmë edhe për çështje fati, përveç se për fajin tonë.
Sa e rëndësishme ishte të ndërprisnit serinë e rezultateve negative ndaj Juventusit?
Nuk ka dyshime që rezultatet të ndihmojnë psikologjikisht dhe unë shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt te fitorja. Sigurisht, ne erdhëm në Torino për të fituar, por e dimë shumë mirë se në kthim, përpara tifozëve tanë, nëse arrijmë të fitojmë do të shkojmë në finale dhe barazimi në fund ishte një sinjal pozitiv ndaj nesh. Përballë kemi një rival që absolutisht mbart vlera shumë të mëdha, por kur shoh dëshirën me të cilën kemi zbritur në fushë kundër Juventusit dhe sesi e mbyllëm ndeshjen, jam i bindur që shpejt do të shihni kthesën nga ana jonë.