Lulzim Berisha në arrati, Gjykata e Lartë shtyn seancën për vendimin e Apelit

Është shtyrë për në datën 7 Dhjetor 2021, procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj Lulzim Berishës në Gjykatën e Lartë.

Shkak për shtyrjen e seancës dhe vijimin e saj në 7 dhjetor është bërë vijushmëria e dëgjimit të pretendimeve të avokatëve mbrojtës, të cilët janë duke dhënë para trupit gjykues pretendimet lidhur me lënien në fuqi të vendimin të Gjykatës së Apelit Durrës, që liroi me kusht Lulzim Berishën.

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, kërkoi në fjalën e tij që çështja gjyqësore të kalojë për rivlerësim sërish në Gjykatën e Apelit Durrës. Berisha u lirua nga burgu në dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit Durrës, gati 5 vite para se të përfundonte dënimin me 25 vite burg për krime dhe pjesëmarrjen në të ashtëquajturin  grupi i “Bandës së Durrësit”.

Në rekursin e saj, prokuroria e Apelit Durrës kërkon kthimin e Lulzim Berishës në burg, me argumentin se vendimi i Apelit është i padrejtë.

Por teksa Gjykata e Lartë shqyrton rekursin e Prokurorisë Durrës kundër vendimit që e liroi me kusht nga qelia, Lulzim Berisha është në arrati. Prej dhjetorit të vitit të kaluar ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, pasi sipas SPAK dyshohet të jetë përfshirë në ekzekutimin e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit, ngjarje të ndodhur në shkurt 2005.

Ky fakt, nuk e ka penguar Gjykatën e Lartë, të ndërmarrë të gjitha procedurat standarde për njoftimin e tij. Në fillim të këtij gjykimi, Gjykata e Lartë, vlerësoi të marrë informacion përmes Prokurorisë së Durrësit, nëse Lulzim Berisha, mban apo jo kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës.

E gjithë kjo, për të saktësuar një adresë ku do t’i bëhen njoftimet për seancat e radhës.