Lushnja dhe Luzi dhurojnë spektakël e gola, në miqësore ndiqen nga 800 tifozë

Lushnja-Luzi kthehet në spektakël. Ishte vetëm një miqësore, por hera-herës të jepte idenë e një ndeshjeje kampionati. Ritëm të lartë, gola me bollëk dhe shumë tifozë. Edhe pse u luajt në fushën sportive të Plugut, ishin mbi 800 të pranishëm.

Fitorja karamboleske për skuadrën e Gugash Maganit erdhi e gjitha në pjesën e dytë. Ishin Kananajt dhe Preknikajt që përmbysën rezultatin nga 2-3 në 4-3. Skuadrat shkuan në pushim me fitoren e luznjakëve 2-3, të cilët zhvilluar një lojë vërtet të mirë. Dopieta e Mandelës dhe goli i kapitenit Hima përmbysën në mënyrë të pabesueshme rezultatin 2-0, që lushnjarët e kishin sigluar me golat e Tabakut dhe Bashës.

PJESA E PARË – Luhet në temperatura shumë të larta dhe në një fushë me bar sintetik. Vështirësi pati vërtet, por me kalimin e minutave loja bëhet e bukur. Magani dhe Devolli janë shumë kërkues, ndërsa hera-herës këshillonin lojtarët. Sapo vjen e 18-ta minutë, vendësit zhbllokojnë me Serxhio Tabakun. Shënon sërish një supergol me një goditje fantastike nga jashtë zonës. Pas golit në Pogradec, tiranasi që erdhi pikërisht nga Luzi, gjen sërish rrugën e rrjetës. Verdhejeshilët morën zemër dhe dyfishojnë pas 6 minutash me Bashën me kokë. Edhe për lushnjarin është goli i dytë në miqësoret e verës. Kur Lushnja e kishin vënë në vijë, Luzi tregon “dhëmbët” dhe ngushton diferencat. Kapiteni Hima godet mjeshtërisht një goditje dënimi dhe shënon, 2-1. Mandela barazon shifrat me një goditje të saktë brenda zonës. Ndërsa në fund të pjesës së parë Mandela përballë portës shënon të tretin.

PJESA E DYTË – Pas pushimit Lushnja është shumë më e qartë. Kananaj barazon rezultatin me një goditje të saktë në hyrje të zonës. Dëshironin që ta fitonin këtë miqësore dhe pas disa tentativash 8 minuta para fundit ia dalin. Është Preknikaj që godet saktë me kokë dhe topi pushoi në rrjetë. Në shifrat 4-3 mbyllet ky test që vjen 9 ditë para nisjes së garës.

LUSHNJA–LUZI 2008 4-3
GOLAT: Tabaku 18’, Basha 24’, Kananaj 62’, Preknikaj 82’ / Hima 29’, Mandela 37’, 44’

LUSHNJA: Haremi, Magani, Basha, Kasmollari, Disha, Fikaj, Kananaj, Zisi, Tabaku, Lëru, Ajinde;
(U aktivizuan: Alimuccaj, Canka, Ismailaj, Levendi, Gjyla, Duka).
Trajner: Gugash Magani

LUZI 2008: Jaupllari, Hoxha, Xhika, Hidri, Goga, Hima, Gjinaj, Koka, Treni, Mandela, Zeqirja, Benxhamin;
(U aktivizuan: Koni, Pietro, Kaso, Zaimaj, Metaliaj, Bajrami, Laho).
Trajner: Bledar Devolli

GJYQTARË: O.Çela, S.Met’Hoxha, D.Mile (Lushnjë)

KARTONË TË VERDHË: S’ka