Manaj ‘thyhet’ sërish, Anglia e mallkuar për kuqezinjtë

Anglia, një tokë e mallkuar për kuqezinjtë. Të paktën kështu mund të quhet këtë sezon, kur tre futbollistë të Kombëtares shqiptare, kanë qenë të pafat dhe aktualisht janë të dëmtuar. Armando Broja, Rei Manaj dhe Tomas Strakosha, tre lojtarët që luajnë në ishull mungojnë në fushë për shkak dëmtimesh.MANAJ- Duke e nisur nga Rei Manaj, i cili është dëmtuar sërish në ndeshjen e së dielës me Uotfordin. Sulmuesi i Kombëtares që luan në Championship, u rikthye në fushë në minutën e 71-të të ndeshjes dhe pasi nuk shfrytëzoi si duhej një rast tepër të pastër shënimi, në minutat shtesë u zëvendësua nga trajneri. Manaj kishte shqetësime në kofshë dhe kështu do të humbasë disa ndeshje. Ky dëmtim vjen pas kohës së gjatë që lushnjari kaloi jashtë fushës, teksa mungonte që prej muajit gusht ku u dëmtua në gju dhe kaloi edhe në operacion. Kështu aventura e Manajt në Angli, pas një viti te Specia në huazim, nuk ka nisur në mënyrën më të mirë, pasi shqiptari është dëmtuar dy herë deri tani. Ndërkohë, duhet të përballet edhe me trajnerin e ri që ka ardhur tek Uotfordi, Slaven Biliç, gjatë kohës që ai ka qenë duke u rikuperuar.

STRAKOSHA- Një tjetër lojtar i Kombëtares u transferua nga Lacio në Premier Ligë, por fati i keq i dëmtimeve do ta ndiqte edhe Tomas Strakoshën. Vetëm një ndeshje me Brentfordin në Kupë dhe portieri dëmtohet në stërvitje. Minutat e fundit që ai ka marrë janë ato me Shqipërinë në Ligën e Kombeve, pasi kur u kthye në Angli, pësoi një dëmtim të rëndë në kavilje, teksa u shfaq edhe me paterica. 27-vjeçari është në fazën e rikuperimit dhe pritet që në janar të kthehet në fushë.

BROJA- Armando Broja pësoi një dëmtim të rëndë dy ditë më parë, gjatë një miqësores që Çelsi luajti me Aston Vilën. Sulmuesi la fushën e lojës në minutën e 20-të mes ulërimave dhe i ndihmuar nga barela dhe këto ditë do të dalë edhe shkalla e dëmtimit. Broja bëhet lojtari i tretë kuqezi që luan në Angli dhe vuan një dëmtim, që sipas shenjave do ta lërë disa kohë jashtë fushave.